Kosova sonte luan për histori përballë Sllovakisë
Kosova do të luajë sonte përballë Sllovakisë në kuadër të gjysmëfinales së “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Kjo ndeshje do të luhet në Bratisllavë duke filluar nga ora 20:45 dhe ka rëndësi historike për Kosovën. Nga kampi i Kosovës ka optimizëm se djelmoshat “dardanë” do të dalin me rezultat pozitiv nga ballafaqim me sllovakët.
Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, para kësaj ndeshje thënë se mund ta shkruajë historinë.
“E dimë se çfarë na pret. Është një presion i lartë, por duam ta shndërrojmë në energji pozitive. Kemi treguar se në këso situata dimë ta menaxhojmë emocionin dhe situatën. Është një mundësi e mirë, mundësi që nuk vjen shpesh. E dimë se nëse i fitojmë këto dy ndeshje shkojmë në Botëror. Do të japim gjithçka nga vetja dhe mund ta shkruajmë historinë”, ka thënë Foda, duke shtuar se faza e grupeve ka qenë e vështirë për Kombëtaren e Kosovës. “Faza e grupeve ka qenë e vështirë. Ka qenë ëndërr për ne ta kalojmë fazën e grupeve. Synimi ynë ka qenë vendi i dytë dhe aty përfunduam. Tash jemi në ‘play-off’ dhe mund ta shkruajmë historinë. I kemi dy ndeshjet e radhës. Duhet ta kemi parasysh se Sllovakia e ka mundur Gjermaninë dhe ka cilësi. I kemi dy ndeshjet e fundit dhe do të bëjmë çmos që Kosovën ta përfaqësojmë denjësisht. Lojtarët janë të motivuar dhe kemi ekip me një shpirt luftarak”, ka thënë Foda.
Ndërsa mbrojtësi Florent Hadërgjonaj ka theksuar se skuadra është maksimalisht e motivuar për këtë sfidë historike. “Për të gjithë ne kjo është një ndeshje historike. Kemi mundësinë të arrijmë në finale dhe të afrohemi edhe më shumë me Botërorin. Jemi të motivuar maksimalisht dhe të fokusuar te kjo ndeshje. Atmosfera në ekip është fantastike dhe kjo na jep forcë shtesë”, ka thënë Hadërgjonaj. Ai ka shtuar se grupi është i bashkuar dhe kjo reflektohet në fushë, ku secili futbollist lufton për njëri-tjetrin. “Kualifikimi në Botëror është një ëndërr e jashtëzakonshme. Kemi pasur një shans për Evropian dhe tani kemi një tjetër për Botëror. Jemi të fokusuar vetëm te gjysmëfinalja dhe besojmë se mund ta kalojmë këtë pengesë”, është shprehur ai.
Mbrojtësi Kreshnik Hajrizi ka shprehur optimizëm para kësaj përballjeje, duke theksuar se ekipi është përgatitur maksimalisht. Ai ka theksuar se, pavarësisht prej vështirësive që sjell ndeshja në udhëtim, Kosova ka dëshmuar edhe më parë se di të përballet me sfida të tilla. “Ëndrra për Botëror po afrohet. Jemi vetëm dy ndeshje larg. Është një sfidë shumë e rëndësishme dhe jemi të gatshëm ta japim maksimumin”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se fituesi i këtij dueli do të përballet në finale me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani.



