Ish-i burgosuri politik Demir Limaj viziton djalin në akademinë ushtarake në Quebec të Kanadasë
Ish-i burgosuri politik, Demir Limaj, aktualisht po qëndron në Kanada, ku ka udhëtuar për të vizituar djalin e tij, Diogjen Limaj, ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Diogjeni është duke vijuar studimet në një nga akademitë prestigjioze ushtarake në Saint-Jean, në provincën e Quebec-ut, në Kanada.
Nga Kanadaja, Limaj ka reaguar lidhur me një ekspozitë të hapur së fundmi në Kosovë, për të cilën ai thotë se shtrembëron historinë e krimeve të luftës, veçanërisht masakrat.
Demir Limaj, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte i burgosur, është një nga të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës. Ai ka shprehur indinjatë të thellë ndaj mënyrës se si paraqitet kjo ngjarje në një publikim të fundit.
Sipas tij, autori i ekspozitës ka përdorur burime nga Serbia për librin “Krimet në Kosovë, 1998–1999”, ku ndër të tjera pretendohet se në Dubravë janë vrarë 48 të burgosur shqiptarë të armatosur dhe 58 të burgosur civilë.
Duke reaguar ndaj këtyre pretendimeve, Limaj është shprehur: “O vlla, me pas pasë armë ne në burg, bile e kishim vra ndonjë polic, ushtar apo gardian”.



