Katër vite nga masakra e Buçës, diplomatët e BE shkojnë në Kiev
Diplomatë të lartë të Bashkimit Europian kanë qenë në Kiev për të përkujtuar katër-vjetorin e masakrës së Buçës dhe për të rikonfirmuar mbështetjen ndaj Ukrainës.
Në mesin e tyre ishte shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, si dhe ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Polonisë, Italisë dhe vendeve të tjera anëtare.
Gjatë vizitës në Buça, ku në fillim të pushtimit rus u gjetën qindra civilë të ekzekutuar, diplomatët theksuan se mbështetja për Ukrainën do të vijojë në të gjitha nivelet: ushtarak, financiar, energjetik dhe humanitar.
“Është e rëndësishme që Ukraina të mos dalë nga vëmendja ndërkombëtare”, deklaroi Kaja Kallas, duke iu referuar edhe zhvendosjes së fokusit global drejt Lindjes së Mesme.
Megjithatë, në sfond mbeten tensionet brenda vetë BE-së. Hungaria vijon të bllokojë një paketë financiare prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, duke rritur presionin mbi financat e vendit.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka mohuar raportimet se Ukraina mund të mos arrijë të paguajë pagat e ushtarëve dhe punonjësve shtetërorë për shkak të mungesës së fondeve.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të BE-së u zotuan për “angazhim të palëkundur” për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Buça, një nga simbolet më të rënda të luftës në Ukrainë.



