Kryeziu për rastet e fajdesë: Kanë krijuar mite që s’mund të preken, duhet ta dinë që nuk i prek kreyeprokurori, por ligji

06 prill 2026 | 22:21

Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, në një intervistë në “Tempus”, tha se janë krijuar mite që personat që merren me fajde nuk mund të preken, por që ata duhet ta dinë se nuk i prek kryeprokurori e as prokurori, por vetë ligji.

Ai tha se veprat penale të fajdesë i kanë trajtuar me prioritet, derisa u zotua se nuk do ta tolerojnë asnjë.

“Sepse në regjionin e Dukagjinit duket që janë të shprehura, padyshim që edhe në vendet tjera, por ne kemi në kompetencë në këtë pjesë, ekskluzivisht regjionin e Prizrenit, dhe veprat penale të fajdeve janë po aq komplekse për t’u hetuar saqë është edhe korrupsoni, sepse janë vepra penale të përbëra”, tha Kryezu.

Sipas tij, këto vepa përveç se godasin dhe prekin në pasuri jo vetëm të viktimës, por edhe familjeve të tyre, shpeshherë pasohen me vepra penale kundër jetës dhe trupit.

“E dimë që te fajdetë gjithmonë kemi edhe detyrim, kemi kanosje, kemi rrahje të viktimave, kemi rrahje edhe kanosje të familjeve të tyre”, shtoi Kryeziu.

Ai theksoi se më 2025 kanë trajtuar rastet e fajdeve të 42 personave dhe se edhe gjatë vitit 2026 ka numër të madh të rasteve të fajdeve.

“Vetëm brenda vitit 2025 kemi pasur në punë 42 persona për fajde. Pra, po flas me persona sepse ka lëndë që i ka dy e tre, por që e kanë viktimën e njëjtë dhe për shkak të ekonomizimit të procedurës, i kemi trajtuar me një rast”, u shpreh ai.

Kryeprokurori i Prizrenit tha se nuk do të ketë person e as grup të paprekshëm, duke shtuar se këtë e kanë dëshmuar dhe po e dëshmojnë çdo ditë.

“Kjo ka ardhë si rezultat kur e kanë parë që ne kemi luftuar rastet më të mëdha, rastet ku kanë krijuar mite që nuk mund të preken. Por, duhet ta dinë që ata nuk i prek as kryeprokurori e as prokurori, por është ligji, është vullneti i ligjit që ne jemi duke e respektuar”, tha Kryeziu.

Gjithashtu, Kryeprokurori shtoi se u është ofruar mbrojtje viktimave të fajdesë, si dhe u është ofruar siguri palëve për t’i raportuar këto raste.

“Ajo që dua ta bëj të qartë, nuk jemi të interesuar vetëm t’i arrestojmë, t’i gjykojmë, t’i dënojmë, por ata jemi duket i hetuar edhe në pasurinë e tyre. Nuk guxon asnjë rast i fajdeve të shkojë në gjykatë pa hetim financiar, në këtë Prokurori. Aty ku ka bazë do të aplikohet edhe Ligji për kompetenca të zgjeruara të konfiskimit, ka miliona euro pasuri që ne kemi sekuestruar. Vetëm në një rast të fajdeve të cilin e kam trajtuar personalisht, kemi sekuestruar 21 banesa, tre lokale afariste që kapin vlera milionëshe. Pra, kur i prekim në financa atëherë e dimë që kemi bërë diçka, atëherë e dimë që ata më nuk do të kthehen të fuqishëm, do ta vuajnë dënimin dhe do të kthehen jo siç kanë qenë të fortë, por të varfun dhe të tillë ata do të trajtohen derisa do të vendosin që merren me punë të ndershme siç i ka hije çdo qytetari”, tha Kryeziu. /BetimipërDrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Opinionisti Dardan Sejdiu ka folur rreth procesit të zgjedhjes së…