Irani zotohet për veprime, nëse Trumpi i zbaton kërcënimet e tij
Emisari i Iranit në OKB, Amir-Saeid Iravani, ka thënë se vendi i tij nuk do të rrijë duarkryq, nëse presidenti amerikan, Donald Trump, i zbaton kërcënimet për ato që zyrtari iranian i quajti “krime lufte”.
Iravani tha se kërcënimet që Trumpi i bëri më herët të martën se “një civilizim i tërë do të vdesë”, nëse Irani nuk bën një marrëveshje, “përbëjnë nxitje për krime lufte dhe potencialisht gjenocid”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ngushticën e Hormuzit, Iravani i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta kritikojë retorikën e Trumpit para se të jetë tepër vonë.
“Irani nuk do të qëndrojë duarkryq përballë krimeve të tilla të rënda të luftës. Ai do ta ushtrojë, pa ngurrim, të drejtën e vet të trashëguar të vetëmbrojtjes dhe do të ndërmarrë masa reciproke të menjëhershme dhe proporcionale” – shtoi ai.
Rusia dhe Kina të martën bllokuan me veto një rezolutë të paraqitur nga Bahrejni për sigurinë e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit.



