Mbi 5 mijë të vdekur nga Ebola në Kongo

01 nëntor 2026 | 08:22

Mbi 5 mijë persona kanë humbur jetën nga epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa numri i të infektuarve ka kaluar 10 mijë e 300. Ky shpërthim është shndërruar në më vdekjeprurësin në historinë e vendit.

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet qeveritare, virusi është përhapur në tetë nga 26 provincat e Kongos. Epidemia nisi në muajin maj, ndërsa shkalla e vdekshmërisë ka arritur në 48.6 për qind.

Vatra kryesore e përhapjes mbetet provinca Ituri, në verilindje të vendit, ku konfliktet e armatosura dhe pasiguria po vështirësojnë punën e ekipeve shëndetësore dhe përpjekjet për të frenuar virusin. Raste janë raportuar edhe në Kenia, Nigeri dhe Ugandë, duke shtuar shqetësimet për përhapjen e mëtejshme në rajon.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për intensifikimin e masave parandaluese, zgjerimin e qasjes në zonat e prekura dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve për rreziqet e infektimit. Ndërkohë, po zhvillohen testime, trajtime dhe prova klinike për vaksina.

Shpërthimi aktual shkaktohet nga varianti Bundibugyo i virusit Ebola, për të cilin aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim specifik të miratuar.

Sipas Kombeve të Bashkuara, kjo është epidemia e 17-të e Ebolës në Kongon Demokratike dhe e dyta më e madhe e regjistruar ndonjëherë në botë. Shpërthimi i viteve 2018–2020 në këtë vend shkaktoi 2 mijë e 299 viktima, ndërsa epidemia e Afrikës Perëndimore, gjatë viteve 2014–2016, mori mbi 11 mijë e 325 jetë njerëzish.

Ebola është një sëmundje e rëndë virale, që shkakton simptoma si temperaturë, të vjella dhe diarre, ndërsa në rastet e rënda mund të çojë në dëmtime të organeve dhe gjakderdhje. Virusi transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të personave të infektuar.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
1 nëntori shënon ditëlindjen e komandantit të UÇK-së dhe heroit…