Nagavci pret që Haxhiu t’ua japë anëtarin e KQZ-së
Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se anëtari i radhës i KQZ-së i takon kësaj lëvizje dhe sipas saj, u.d presidentja Albulena Haxhiu do të duhej ta marrë vendim shumë shpejt për këtë çështje.
Nagavci ka thënë se nëse Haxhiu nuk vepron, LV-ja do të duhet ta adresojë një gjë të tillë.
“Anëtarit të paemëruar tashmë nga presidentja Osmani, është e drejtë që i takon Lëvizjes Vetëvendosje bazuar në gjithë legjislacionin në fuqi, bazuar në rezultatin zgjedhor dhe forcave proporcionale të partive në Kuvend. Pra, përbërja e KQZ-së përfaqëson vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje të lira, dhe ne presim që ushtruesja e detyrës së presidentes, gjegjësisht zonja Haxhiu, sa më parë ta emërojë anëtarin e radhës në KQZ, që duhet të jetë propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Dhe unë besoj që zonja Haxhiu do ta bëjë shumë shpejt këtë. Nëse jo, natyrisht si Lëvizje na duhet ta adresojmë edhe këtë”, ka thënë Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.



