Andin Hoti për ekspozitën: Jam i pari që kam reaguar, s’mund ta rrah Shkëlzen Gashin

08 prill 2026 | 16:04

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, para Komisionit për të Drejtat e Njeriut është pyetur lidhur me ekspozitën e Shkëlzen Gashit në shesh, e cila kishte pasaktësi për masakrat në Kosovë.

Në këtë temë që e ka ngritur deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, Hoti ka thënë se ministria që drejton s’e kishte në mandat heqjen e ekspozitës dhe se Gashi e ka bërë këtë ekspozitë pa lejen e askujt.

“Kam dëgjuar që të dhënat faktike të kësaj ekspozite janë marrë prej një individi që quhet Shkëlzen Gashi. Shkëlzen Gashi nuk është Albin Kurti. Shkëlzen Gashi s’është këshilltari im. Jam ndër të parët që kam reaguar kur Shkëlzen Gashi i ka cenuar vlerat e UÇK-së para pesë-gjashtë viteve”, ka thënë Hoti.

Deputetët opozitarë, anëtarë të Komisionit, i kanë kërkuar përgjegjësi Hotit, duke thënë se ka mekanizma në dorë.

Në përgjigje, Hoti ka thënë: “Unë s’mund ta rrah Shkëlzen Gashin”.

“As nuk e bëj një gjë të tillë. Çka është në fushëveprimtarinë time, unë e bëj dhe është gabim kur flasim për vlerat e luftës çlirimtare ta krijojmë situatën e tillë që të bëjmë politikë për shkak se ndoshta dikush mendon që zgjedhjet janë afër dhe na vyen politika”.

Ai ka thënë se nuk ka përgjegjësi “pse del një OJQ pa leje të kurrkujt të bëjë një aktivitet në shesh”.

“Do të kërkoj të krijohet që të hartohet një rregullore e qartë që asnjë OJQ, kur janë në pyetje vlerat çlirimtare, të mos ketë të drejtë të ekspozojë materiale pa verifikim paraprak të institucioneve të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak,…