Tahiri: Ky është “super gjyqtari” Hasan Kryeziu që ndau 32 milionë euro për 7 ditë në dëm të buxhetit të Prishtinës
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar sërish lidhur me vendimin gjyqësor për ndarjen e mbi 32 milionë eurove në emër të “fitimit të humbur”, duke e cilësuar procesin si të papranueshëm dhe alarmant.
Në reagimin e tij, Tahiri ka përmendur gjyqtarin Hasan Kryeziu, për të cilin ka thënë se ka udhëhequr një proces gjyqësor që ka zgjatur vetëm 7 ditë, me vetëm dy seanca, në përfundim të të cilit një konsorcium kompanish private ka përfituar mbi 32 milionë euro.

Sipas tij, bëhet fjalë për të njëjtat kompani që më herët kishin dështuar ta përvetësonin pronën publike në qendër të Prishtinës, ndërsa tani kanë përfituar dëmshpërblim të madh financiar.
Tahiri ka theksuar se raste të tilla për “fitim të humbur” janë ndër më komplekset në praktikën juridike dhe zakonisht zgjasin me vite, duke kërkuar ekspertiza të shumta dhe analiza të thella profesionale.
“Jo 7 ditë. Jo 2 seanca. Kjo nuk është normale. Kjo është alarmante”, ka deklaruar ai.
Ai ka ngritur edhe përgjegjësi politike për këtë çështje, duke theksuar se vendimi fillestar për dhënien në shfrytëzim të përhershëm të pronës në qendër të Prishtinës është marrë nga përfaqësues të Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa qeverisnin kryeqytetin.
Po ashtu, sipas tij, vendimi për dëmshpërblimin prej 32 milionë eurosh është marrë nga një gjykatë e themeluar nga Grupi Parlamentar i kësaj partie, çka sipas Tahirit nuk është rastësi, por pasqyrë e logjikës qeverisëse të partisë në pushtet.
Në fund, Tahiri ka shprehur besimin se çështja do të trajtohet ndryshe në instancat më të larta, duke theksuar se pret që në Gjykatën Komerciale të ketë gjyqtarë të ndershëm dhe profesionistë që në apel do ta vendosin drejtësinë në vend.
Link: https://www.facebook.com/share/p/1EKRt3hyBU/?mibextid=wwXIfr



