Në vend të përgjigjes gjakprishurve shqipfolës / Çka kanë thënë personalitete të njohura botërore për UÇK-në

10 prill 2026 | 15:24

Përgatiti Bedri Halimi

Xhejmi Shia për UÇK-në

Ditën e 24-të të operacioneve të NATO-s mbi RFJ-në, më 16 prill 1999, në konferencën e rregullt për gazetarët Xhejmi Shia deklaron: „Edhe përkundër barbarizmit të egër të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë dhe ndaj njësiteve të UÇK-së, rezistenca e UÇK-së është e fortë. UÇK-ja është në gjendje të bëjë sulme mjaft efikase ndaj forcave serbe. Edhe tani numri i regrutëve të UÇK-së, është duke u rritur gjithnjë e më shumë. Sulmet e egra serbe, megjithatë nuk e kanë mposhtur rezistencën dhe organizimin e UÇK-së.
Vullnetarë të shumtë nga të gjitha anët e botës, më shumë vullnetarë se të ftuar për mobilizim, po iu bashkëngjiten njësiteve në Kosovë. Ç’do operacion i forcave serbe në Kosovë, ka rezultat shtimin e regrutëve të rinj shqiptarë në UÇK“.
Ndërkaq, më 17 prill, në selinë e NATO-s në Bruksel, zëdhënësi i saj Xhejmi Shia thotë: „Forcat e UÇK-së, ju kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme policisë speciale, dhe ushtrisë jugosllavo-serbe, madje, UÇK-ja ka arritur që dje të hap me sukses një korridor të konsiderueshëm, në kufirin Shqipëri-Kosovë, Tropojë-Junik“.

Bill Klinton për UÇK-në

Kryetari amrikan Bill Klinton në klasën e vitit 1999 të Akademisë së Aviacionit Luftarak Amerikan, në Kolorado Springs, i cili duke folur për ushtarët amerikanë që po luftojnë kundër akteve jonjerëzore të Milosheviqit dhe ushtrisë serbe në Kosovë deklaron: “Po ashtu, e vetmja forcë sot në tokë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo që nuk u shkatërrua nga Milosheviqi, por dita-ditës po arrin suksese. Pra, Milosheviqi nuk e eliminoi UÇK-në, përkundrazi ajo po reziston me të madhe“.

Medlin Ollbrajt për UÇK-në

Më 8 qershor në Köln, sekretarja e shtetit amerikan znj. Ollbright shprehu simpatinë e saj për rezistencën e UÇK-së duke theksuar se: „Ishte ajo e cila sensibilizoi opinionin demokratik ndërkombëtar, opinion i cili u vu i tëri në shërbim të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe për mbrojtje të vlerave të civilizimit demokratik në Kosovë e më gjerë“.

Çka thotë Ukshin Hoti për UÇK-në?

Ukshin Hoti duke i shkruar Kadaresë, nga burgu për UÇK-në thotë: „E besoj se nuk është në natyrën e njeriut dhe as të kombit të pajtohet me statusin e robit. Jam plotësisht i vetëdijshëm se ajo, UÇK-ja, solli me vete jo vetëm ndikimin rrënjësor në realitetin politik shqiptar dhe jashtëshqiptar. . . “
Në këtë kohë, Surroi ishte i lirë, kurse Ukshin Hoti ishte në burgun e Nishit. . .

Në vend të përfundimit: Edhe disa të huaj për UÇK-në

Misha Glenny në librin e tij “Historia e Ballkanit (1804-1999)” shkruan: “Politika e vetëpërmbajtjes e ndjekur nga Rugova bëri që Kosova të mbetej në paqe gjatë gjithë kohës së luftërave në Kroaci e Bosnjë. Mirëpo kjo paqe u shoqërua nga një gjendje stanjacioni politik dhe nga vazhdimi i shtypjes sistematike mbi shqiptarët. ” (Misha Glenny: Historia e Ballkanit 1804-1999 – nacionalizmi, lufta dhe fuqitë e mëdha, Toena, Tiranë 2007, f. 653). Më pas autori vazhdon: “Mësymja serbe në Drenicë pati tri pasoja, që Millosheviçi thuajse me siguri i kishte parashikuar. Së pari, UÇK-ja erdhi duke u bërë dita-ditës më e fuqishme, sepse mijëra të rinj shqiptarë mbushën radhët e saj. Së dyti, Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara u përfshinë më shumë në çështjet e këtij konflikti. Së treti, stabiliteti rajonal u turbullua nga polarizimi i shoqërisë malazeze dhe nga ngritja e tensionit në vendet fqinje, sidomos në Shqipëri e në Maqedoni. ”(Po aty, f. 655).
Serge Metais në librin “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës” shkruan: “Sigurisht, opinioni publik perëndimor ishte i ndjeshëm ndaj padrejtësisë që po u bëhej shqiptarëve, mirëpo për të ky nuk ishte veçse një nga rastet e panumërta të padrejtësive në këtë botë. Dhe, për sa kohë që nuk kishte përleshje të përgjakshme, Kosova nuk kishte as sesi të zinte faqet e para të gazetave, as sesi të mallëngjente me të vërtetë ndokënd. U deshtë të shpërthente një luftë e re në ish-Jugosllavi (dhe pamjet e saj të përhapura përmes televizionit), në mënyrë që udhëheqësit perëndimorë të bindeshin se kësaj radhe nevojitej të ndërhyhej ushtarakisht. Kjo luftë u nis nga UÇK-ja në pranverën e vitit 1998. ” (Serge Metais: “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës”. Botimet 55, Tiranë 2006, f. 394).
Për Noel Malcolm-in, “meritat” për formimin e UÇK-së i përkisnin politikës shtypëse të Millosheviçit. Ai në parathënien e librit të cituar “Kosova – një histori e shkurtër”, shkruan: “Politika serbe nxiti shtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ekzistimi i së cilës atëbotë, u mor si pretekst i fushatës serbe të shkatërrimit të fshatrave të Kosovës në verën e vitit 1998. Së këndejmi, përpjekjet e qeverive të Perëndimit për ta ndërmjetësuar një marrëveshje, bazë e së cilës ishte rikthimi i autonomisë së Kosovës, dolën të pasuksesshme. ” (Noel Malcolm, “Kosova – një histori e shkurtër”, “Koha”, Prishtinë 2001, f. xxiii).
John G. Stoessinnger, i cili në librin e tij “Përse kombet shkojnë në luftë”, shkruan: “Nuk është për t’u çuditur që pas çdo barbarie radhët e UÇK-së shtoheshin në numër dhe me vrull. Nga pikëpamja historike Millosheviqi mund të dukej fare mirë si shef rekrutimi pa dashje i UÇK-së. ” (John G. Stoessinnger: “Përse kombet shkojnë në luftë”, ISN, Tiranë, 2007, f. 153).
James Pettifer: “UÇK-ja është popullsia e Kosovës, as më shumë e as më pak. Ajo përbëhej prej idealistësh, cinikësh, burrash, grash, pleqsh, të rinjsh, të dëshpëruarish dhe shpresë-mëdhenjsh. Të tilla janë të gjitha lëvizjet e rezistencës [. . . ] Shekspiri na tregon se hakmarrja disa herë mund të jetë e vetmja formë e drejtësisë. ” (J. Pettifer: Vepër e cituar, f. 281). Kurse për gatishmërinë e njerëzve të UÇK-së shkruan: “Gatishmëria e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e njerëzve që punonin me ta për të dhënë jetën kishte arritur brenda dy vjetësh më tepër sesa Lidhja Demokratike në dhjetë vjet. ” (Po aty, f. 303).
Presidenti Bill Clinton në librin e tij “Jeta ime”, thotë: “Ibrahim Rugova, kreu i qeverisë-hije, ishte një njeri fjalëbutë, që kishte zakonin të vinte një shall rreth qafës. Isha i bindur se mund të arrinim një marrëveshje paqeje me të, por nuk isha aq i sigurt për fraksionin tjetër kryesor kosovar, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. ” (Bill Clinton: Jeta ime; Dudaj, Tiranë, 2005, f. 713).
Sikur të ishte ashtu si thotë Surroi, Shkelzen Gashi, Rron Gjonovci e ndonjë sylidhur tjetër, as këta nuk do të shkruanin kështu, e as vendet përbërëse të NATO-s, në krye me SHBA-të, nuk do ta mbështesnin aq fuqishëm luftën e drejtë të popullit shqiptar të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëspresidenti i ShBA-së, JD Vance, ka deklaruar se ShBA është…