Ahmeti: Gjuha shqipe është në rrezik, duhet t’i dalim zot. Pa shqiptarët Maqedonia i ka ditët e numëruara

14 prill 2026 | 16:35

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka thënë se gjuha shqipe atje është “në rrezik”.

Gjatë një paneli diskutimi në Samitin e Diasporës në Tiranë, ku, ndër të tjerë, kanë marrë pjesë edhe kryediplomatët e Kosovës dhe Shqipërisë, Ali Ahmeti ka thënë se gjuhës shqipe “duhet t’i dalim zot të gjithë”.

“Sa i takon gjuhës shqipe në Maqedoni, është një rrezik i vërtetë që mendoj që duhet t’i dalim zot të gjithë gjuhës që e flasim të gjithë”, ka thënë ai.

Ahmeti ka thënë se gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut është e garantuar me Marrëveshjen e Ohrit të gushtit të vitit 2001 që i dha fund luftës në Maqedoninë e Veriut.

Ajo marrëveshje siguroi, ndër tjerash, që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare dhe të rritej pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet qeveritare, polici e ushtri.

Me këtë rast, Ahmeti ka thënë se ajo marrëveshje u nënshkrua dhe “garantua” edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO dhe se është e përbashkët përgjegjësia për ta mbrojtur atë.

“Përgjegjësinë e kemi të përbashkët: Uashington, Bruksel, NATO, forcat politike shqiptare, forcat politike maqedonase. Maqedonia ka ardhmëri në bashkëjetesë, në bashkëqeverisje vetëm me shqiptarët. Pa shqiptarët, Maqedonia nuk mund të mbijetojë dhe ditët i ka të numëruara”, ka thënë Ahmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në takim kryetarin…