Inspektorati i Punës: 41 inspektime në 48 orë, 16 ndalime punimesh
Inspektorati Qendror i Punës, në zbatim të vendimit të ministrit të Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti dhe në përputhje me mandatin e tij ligjor, ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ky raport 48-orësh nga Inspektorati Qendror i Punës paraqet rezultatet e inspektimeve të ditës së gjashtë të realizuara në kuadër të këtij aksioni.
Sipas këtij raporti nga 41 inspektime të punimeve janë ndaluar 16 vende të punimeve, si dhe janë lejuar 8.
Më tutje, se në këtë 48-orësh fokus të inspektimit ka qenë sektori i ndërtimtarisë andaj edhe realizimi i inspektimeve është bërë në 100 për qind në këtë sektor.
“Në kolonën ku është cekur numri total i ndalimeve të punimeve nënkupton me automatizëm edhe numrin total të kërkesave për kundërvajtje. Në përfundim të aksionit të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve me automatizëm procedohen në gjykatat për kundërvajtje përkitazi me shkeljet e konstatuara. Procesi i riinspektimeve do të kryhet në ditët në vijim të aksionit sipas afateve kohore të përcaktuara nga Inspektorët për eliminim të parregullsive”, ka njoftuar Inspektorati Qendror i Punës.




