Albin Kurti i kërkon ndihmë Turqisë për një linjë ajrore Kosovë-SHBA
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ministrin e Tregtisë të Turqisë, Ömer Bolat, i cili sot erdhi për vizitë zyrtare në Kosovë.
“Teksa shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit, kryeministri Kurti tha se në dekadën e fundit janë dyfishuar shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve, me rritjen më të shpejtë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë. Të dy diskutuan për mundësitë e zgjerimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë edhe për shërbimet, përfshirë ato profesionale, të teknologjisë së informacionit, të transportit dhe të logjistikës, si dhe shërbimet financiare. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti përmendi potencialin e jashtëzakonshëm të Republikës së Kosovës për eksport të shërbimeve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Kurti i tha atij se do të ishte i lumtur që Forumi i dytë Ekonomik Kosovë-Turqi, pas atij në Stamboll më 2024, të mbahej në Prishtinë këtë vit, si një hap konkret i radhës, thellimit dhe i zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Ndërsa, u diskutua edhe për aktivizimin e Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar. Kurti pati edhe një kërkesë tjetër për mysafirin turk.
Me qëllim të ndërlidhjes globale dhe ekonomike, Kurti foli për synimet për hapjen e një linje të re ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ndihmën e Republikës së Turqisë, siç thotë ZKM.
Pasi theksoi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, Kurti përcolli mirënjohjen dhe falënderimet e tij për presidentin Recep Tayyip Erdoğan për “angazhimin dhe mbështetjen e posaçme ndërkombëtare për Kosovën”.



