10-vjetori i FKGK-së, Ismaili, Licetti dhe Henebry kërkojnë qasje më të avancuar në financimin e bizneseve

23 prill 2026 | 12:27

Në kuadër të konferencës së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) me rastin e 10-vjetorit të themelimit është mbajtur edhe paneli i diskutimit me temën: “Hapësirat e mbetura në treg dhe roli i financimit të zhvillimit për të shpëtuar nga kurthi i të hyrave të mesme”, ku janë trajtuar sfidat strukturore të sistemit financiar dhe nevoja për instrumente më të avancuara mbështetëse për bizneset.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka thënë se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, ka luajtur rol të rëndësishëm në përmirësimin e qasjes në financa, duke ndihmuar në adresimin e boshllëqeve të tregut, veçanërisht në çështjen e kolateralit dhe zgjatjen e maturitetit të kredive.

“Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka qenë dhe vazhdon të jetë një instrument shumë i rëndësishëm për përmirësimin e qasjes në financa. Të dhënat e paraqitura në studim tregojnë se fondi ka ndihmuar në mbushjen e boshllëqeve në treg, veçanërisht sa i përket kolateralit, zgjatjes së maturitetit të kredive dhe rritjes së mundësisë për financim më të madh për bizneset. Megjithatë, sipas vlerësimeve të paraqitura, qasja në financa nuk është vetëm çështje nëse një biznes financohet apo jo, por edhe nëse financimi është i mjaftueshëm. Në shumë raste, ndërmarrjet përballen me nën-financim, ku shuma e përfituar nuk i plotëson nevojat reale për realizimin e planeve të tyre investuese”, ka thënë Ismaili.

Ai ka thënë se sistemi financiar në Kosovë mbetet kryesisht i bazuar në banka, duke theksuar nevojën për zhvillimin e instrumenteve shtesë financiare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar pa penguar inovacionin.

“Po ashtu, u theksua se sistemi financiar në Kosovë është kryesisht i orientuar nga bankat, me mungesë të instrumenteve të tjera financiare që do ta plotësonin këtë sektor. Një tregues tjetër i rëndësishëm është raporti kredi-depozita, i cili ka arritur rreth 90 për qind, duke shënuar një rritje nga nivelet prej 80–85 për qind në vitet e kaluara dhe duke reflektuar një transformim të sektorit financiar. Nga perspektiva e Bankës Qendrore, u theksua rëndësia e ruajtjes së stabilitetit financiar përmes një kornize rregullative të balancuar, e cila njëkohësisht nuk pengon inovacionin dhe zgjerimin e qasjes në financa”, ka thënë ai.

Ndërsa përfaqësuesja e Bankës Botërore, Martha Martinez Licetti, ka thënë se mbështetja për bizneset duhet të kalojë nga instrumentet individuale në një sistem të integruar financiar, që kombinon forma të ndryshme financimi.

Sipas saj, bizneset kanë nevoja të ndryshme dhe kërkohet targetim më i mirë i tyre, sidomos për ndërmarrjet me potencial më të lartë zhvillimor si ato eksportuese.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e KfW-së, Hilli Henebry, ka theksuar rëndësinë e përdorimit të institucioneve ekzistuese financiare për krijimin e mbështetjes së synuar për kategori të caktuara biznesesh.

Ajo ka theksuar se nevojiten edhe instrumente shtesë për të adresuar boshllëqet e tregut, përfshirë fondet e garancisë kreditore dhe linjat e likuiditetit për bankat.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një dokumentar i ri i “Netflix” ka rikthyer në qendër…