Nagavci: Presim propozime nga PDK-ja dhe LDK-ja deri të dielën për presidentin

25 prill 2026 | 13:05

Shefja e Grupit Parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, para mediave ka thënë se zgjedhjet duhet të shmangen.

Nagavci, para seancës së jashtëzakonshme në hollin e Kuvendit, u shpreh se LV-ja ka dalë me propozimet e sotme me qëllim që t’i shmangë zgjedhjet.

“Meqenëse asnjëra nga dy partitë e tjera opozitare nuk ka qenë e gatshme që të ecim përpara me dy propozimet tona, ne sot kemi dalë edhe me një propozim të ri, ku jemi të gatshëm që të marrim dhe t’i shqyrtojmë seriozisht tri propozimet për kandidatët, të cilët janë kandidatë përbashkues, kandidat ose kandidate përbashkuese, që do të vijnë si propozim nga PDK dhe LDK. Dhe ne jemi të gatshëm që, në momentin që kemi tri propozime nga PDK dhe LDK për emrin e presidentit apo presidentes, pra persona të cilët janë përbashkues, persona të cilët kanë një reputacion të lartë dhe kontribut edhe kombëtar, edhe shtetëror, persona të cilët nuk janë aktualisht në skenën politike, ne jemi të gatshëm që të tërheqim dy nominimet tashmë të zotit Glauk Konjufca dhe zonjës Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, dhe të japim edhe nënshkrimet tona. Pra, të jenë 80 nënshkrime, sa janë të nevojshme për tre kandidatët, me të cilët do të merrnim pjesë pastaj në seancën për zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, u shpreh ajo.

Nagavci tha se deri ditën e diel presin një përgjigje nga opozita.

“Pavarësisht kohës në të cilën jemi dhe ku, sipas Gjykatës Kushtetuese, afati i fundit për të zgjedhur presidentin është data 27, ndërsa më 28 shpërndahet Kuvendi, në këtë linjë ne kemi përcaktuar që dita e diel, mbrëmja e ditës së diel, është koha kur ne presim përgjigje dhe, respektivisht, propozime nga këto dy parti.Jemi të bindur që edhe një palë zgjedhje të reja, përveçse kanë një kosto të lartë — janë 10 milionë euro të cilat do të shpenzoheshin për zgjedhje — në anën tjetër janë dhjetëra miliona euro të tjera të cilat po presin të miratohen nga Kuvendi. Dhe përtej kësaj, përveç aspektit financiar, një palë zgjedhje të reja nuk do të sillnin asnjë ndryshim në raport me situatën që mund të vijë përsëri pas zgjedhjeve të reja”, tha Nagavci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i është…