Përkujtohet dëshmori i kombit, Shkëlzen Brahimaj, në 27-vjetorin e rënies në altarin e lirisë

27 prill 2026 | 15:46

Në përkujtim të 27-vjetorit të rënies në altarin e lirisë, sot u përkujtua dëshmori i kombit, Shkëlzen Brahimaj. Shumë qytetarë morën pjesë në nderim të veprës së tij pranë lapidarit në Skivjan të Gjakovës. Përveç familjarëve, homazhe bënë edhe bashkëluftëtarë dhe bashkëveprimtarë të shumtë. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, kryetari i OVL-UÇK-së në Deçan, Avdyl Mushkolaj, U.D i kryetarit të OVL-UÇK-së, në Gjakovë, Avdyl Zeneli, pastaj Nasim Haradinaj, si dhe bashkëluftëtari e bashkëfshatari Hasan Alija, e shumë të tjerë.

Historiku i dëshmorit të kombit, Shkëlzen Brahimaj

Shkëlzen Brahimaj lindi më 12 janar 1971 në fshatin Skivjan, komuna e Gjakovës. Ai ishte djali i Imer dhe Sofe Brahimaj, të cilët kishin pesë fëmijë: katër djem dhe një vajzë. Shkëlzeni ishte i martuar dhe la pas një vajzë, Qëndresa. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Gjakovë. Studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Bujqësisë, por si student i vitit të dytë u detyrua t’i ndërpresë ato.

Ai mori pjesë aktive në demonstratat dhe protestat e viteve 1989–1991. Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 5 korrik 1998, Shkëlzen Brahimaj iu bashkua radhëve të saj, i shtyrë nga dëshira e madhe për të luftuar kundër pushtuesit. Fillimisht u angazhua në furnizimin me armë. Ai shkoi në Shqipëri së bashku me disa bashkëfshatarë dhe solli armë e municion. Më pas u angazhua në përcjelljen e ushtarëve nga Smolica në Jabllanicë dhe në zona të ndryshme të luftës. Pas rënies së Smolicës, ai u zhvendos në Ratishë, ku u sistemua në Brigadën 134. Me trimërinë dhe guximin e treguar në aksione të ndryshme kundër forcave serbe, u emërua zëvendëskomandant i policisë ushtarake në këtë brigadë. Mori pjesë në shumë beteja dhe aksione guerile në Rekën e Keqe, veçanërisht gjatë ofensivës së prillit 1999 që përfshiu tërë Dukagjinin. Në një aksion në fshatin e tij të lindjes, në Skivjan, ai vrau kriminelin serb Zoran Gariq. Më vonë, me urdhër të komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, u nis për të hyrë në Gjakovë, ku kishte rolin e udhëheqësit të grupit. Më 27 prill 1999, gjatë një misioni për të vëzhguar rrugën për hyrjen e 40 luftëtarëve të UÇK-së në Gjakovë, në fshatin Ramoc hasi në një pritë të forcave serbe.

Në një përballje të afërt, në distancë prej vetëm 2–3 metrash, u zhvillua një luftë e ashpër. Gjatë këtij aksioni u vranë katër pjesëtarë të forcave serbe, ndërsa në fushën e nderit ra edhe dëshmori Shkëlzen Brahimaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë janë certifikuar 44…