Konjufca dhe Kollçaku tërhiqen nga kandidatura për president
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po shkon drejt fundit.Seanca, ku Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku njoftuan tërheqjen nga kandidatura për president, nga Vetëvendosje u shoqërua me akuza të ashpra ndaj opozitës për “bllokadë” rreth procesit të zgjedhjet së presidentit.
Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar praninë e deputetëve si detyrim kushtetues.
“Në një demokraci mund të ketë dallime dhe përplasje, por mendoj që ka një vijë që nuk duhet kaluar, dhe kjo vijë është respektimi i rendit kushtetues.
“Unë s’jam këtu për të gjykuar motivet politike të askujt, por është detyrim i imi që të mbroj funksionimin kushtetues. Deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë”, tha Haxhiu ndër tjera.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti akuzoi opozitën se – siç pretendoi ai – po refuzon kompromiset e ofruara nga pushteti. Ai tha se pushteti është i gatshëm të heqë dorë nga një pjesë e pozitave institucionale, por sipas tij, opozita nuk po e pranon këtë ofertë.
“Ne po dojmë ta zvogëlojmë pushtetin tonë, ata s’po na lanë”, deklaroi Kurti.
“Po themi ‘merreni kryetarin e Kuvendit’, po thonë ‘jo’. Propozone presidentin, ne ua mbushim nënshkrimet që iu duhen, po thonë jo”, shtoi ai.
Zëvendëskryeministri i parë, Glauk Konjufca, tha se politika mund të ketë mjetet e veta, por sipas tij duhet të ruajë një minimum integriteti. Ai akuzoi opozitën se përmes metodave politike po tentohet rrëzimi i vullnetit qytetar vetëm pak muaj pas zgjedhjeve.
“Unë e di që politika i ka mjetet e veta, por unë e di që politika duhet ta ketë një minimum të integritetit. Përmes metodave tjera, vullneti qytetar po do me u rrëzu pas katër muajve”, tha Konjufca.
Më vonë, Konjufca dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku njoftuan edhe formalisht tërheqjen nga kandidatura për president.



