Hamza: Ky është puç kushtetues – kjo praktikë duhet të ndërpritet
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se ajo që ndodhi sonte ishte shkelje kushtetuese, duke e cilësuar si “puç kushtetues”.
Ai tha se nuk mund të zgjedhet Presidenti i vendit në mënyrë antikushtetuese, shkruan Reporteri.net.
“Është një puç kushtetues. Veç ka ndodhë shkelja kushtetuese…Kjo praktikë duhet të ndërpritet me qëllim që të ruhet stabiliteti politik dhe institucionet e vendit”, tha ai në hollin e Kuvendit.
Hamza tha se Kushtetuta është e qartë, duhet të jenë 80 deputetë në sallë prezent dhe të votojnë që të konsumohet rundi i parë dhe njëjtë kërkohet në rundin e dytë, në të cilin, sipas tij, nuk mund të kalohet pa u konsumuar rundi i parë.
“Ne besojmë që nuk janë plotësuar kushtet për të kaluar në rundin e dytë”, tha Hamza.
“Nuk dëshiroj në asnjë mënyrë që vendi të përfundoj në anarki”, shtoi Hamza.



