Mjaftë, zero tolerancë për shkelësit e Kushtetutës

28 prill 2026 | 11:18

Shkruan: Astrit Gashi

Në Kosovë që nga themelimi i shtetit nuk përballemi më thjesht me shkelje të Kushtetutës; përballemi me një kulturë të institucionalizuar të përçmimit ndaj saj.
Akti më i lartë juridik i shtetit është reduktuar në një tekst që hapet, interpretohet dhe përdoret sipas nevojës së politikës ditore.
Ky devijim nuk është i rastësishëm, por sistem i ndërtuar mbi mungesën e pasojës dhe kulturës politike ku shkelësit jo vetëm që nuk ndëshkohen, por shpërblehen me poste, pensione dhe privilegje, duke e kthyer shkeljen në investim politik, jo në rrezik.
Në këtë realitet është konsoliduar një klasë politike të mbushur me analfabet funksional, njerëz me tituj e diploma që ligjërojnë për të drejtën, por që në praktikë e përdorin Kushtetutën si instrument oportunizmi.
Prandaj sot kemi politikanë që sillen sikur dyert e Gjykatës Kushtetuese janë korridor i zakonshëm ditor një vend ku rregullohen gabimet politike, jo ku kërkohet përgjegjësi.
Vendimet antikushtetuese merren me vetëdije të plotë, sepse ekziston bindja se pasoja reale nuk do të ketë.
Rastet e ish-presidentëve si Fatmir Sejdiu dhe Vjosa Osmani nuk janë episode të izoluara, por simptoma të një sëmundjeje më të thellë të hipokrizisë institucionale. Kur edhe këta njohës të së drejtës kushtetuese bëhen pjesë e vendimeve që bien ndesh me vetë Kushtetutën, nuk kemi më krizë interpretimi por kemi krizë integriteti.
Kjo formë mosndëshkimi është jo vetëm absurde, por edhe e rrezikshme, sepse prodhon një standard pervers që sa më i lartë funksioni, aq më i ulët përgjegjësia. Në një shtet normal, shkelja e Kushtetutës do të shënonte fundin e karrierës politike por në Kosovë, shpesh është vetëm një ndalesë e përkohshme para një emërimi tjetër.
Kjo është arsyeja pse deputetë dhe zyrtarë nuk hezitojnë të votojnë apo të marrin pjesë në vendime antikushtetuese sepse sistemi i ka mësuar se çmimi i shkeljes së Kushtetutës është zero.
Në shumë shtete demokratike, një veprim i tillë do të sillte të paktën ndalim kandidimi në zgjedhjet e radhës; tek ne, sjell riciklim.
Një shtet që nuk ndëshkon shkelësit e Kushtetutës, në thelb e legalizon shkeljen e saj.
Dhe një shtet që e legalizon këtë, pushon së qeni shtet ligjor shndërrohet në teatër ku ligji luan rol simbolik, ndërsa pushteti vepron pa kufij.
Prandaj, kërkesa për ndalim të përkohshëm nga funksionet publike për shkelësit, apo për përjashtim nga kandidimi për deputetët që marrin pjesë në vendime antikushtetuese, nuk është radikale është minimumi i nevojshëm për të shpëtuar rendin kushtetues nga degradimi total.
Mjaft më. Zero tolerancë për shkelësit e Kushtetutës nuk është slogan është kusht për mbijetesën e shtetit.
Nëse Kushtetuta vazhdon të trajtohet si derë që hapet e mbyllet sipas interesit ditor të kësaj klase politike, atëherë problemi nuk mbetet vetëm te individët shndërrohet në defekt të vetë sistemit që prodhon dhe mbron papërgjegjësinë. Dhe në atë pikë, çdo heshtje nuk është neutralitet, por bashkëfajësi e secilit qytetar të Republikës sonë. Logjikë e thjeshtë kur thyhet Kushtetuta thyhet të gjitha ligjet e shtetit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka reaguar në lidhje me zhvillimet e…