Paaftësia e Kurtit si burrështetar po i kushton Kosovës
Shkruan: Hajdin Abazi
Kosova sërish në zgjedhje, për çka realisht nuk kishte aspak nevojë, po erdhi si rrjedhojë e mosdashjes së Kurtit si për të gjetur zgjidhje e cila, me pak vullnet, mund të arrihej.
Ai po sillet sikur populli të ishte vetëm i tij e jo edhe i të tjerëve, dhe sikur e ka marrë mandatin për të aktruar mbretin në një Republikë, që do të duhej t’i kthehej si bumerang ky destruktivitet, por që, duke marrë parasysh mentalitetin tanë – mund t’i shkrepë.
Manovrat e Kurtit ishin të tejdukshme, sa që, nga fillimi, ishte e qartë se ai nuk donte zgjidhje po zgjedhje. Sa i përket rizgjedhjes së V.O.S. presidente ishte e qartë se nuk donta bënte. Pastaj luajti propozimin e kandidatëve. Kurti e di ose duhet ta dijë se si ftohen partitë kur janë në pyetje marrëveshjet politike, po ai shtihej sikur po i ftonte thua se bëhej fjalë për ndonjë piknik rasti, e jo për postin më të lartë të shtetit. Pastaj, në vend të postit që duhej zgjedhur, njërës parti i ofroi poste në qeveri e tjetrës kryeparlamentarin. Kështu, Kurti që dikur thoshte se nuk bënë pazare, nisi të bëjë tugjarllëk, të stilit oriental – ku ai mund të bënte rokada si t’i tekej atij! Opozita kreu detyrën e vet të duke pranuar përtalljen kundrejt institucione të shtetit. Së fundi, gjithçka përgatiti për të vepruar në mënyrë kundërkushtetuese, po sekush e ndali të mos abuzonte aq rëndë!
Krejt kjo në funksion të propagandës për të fajësuar opozitën, pse ajo nuk po i nënshtrohej diktatit të tij. Opozita aq mund të bënte – të mos participonte në abuzimin me shtetin. Kjo mund t’i kushtojë opozitës, por historikisht ajo bëri, aq sa mund të bënte, në mbrojtje të Republikës demokratike
Me 51% të votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe të mos arrijë të tregojë aftësi prej burrit të shtetit, kjo i ndodhë vetëm sekujt që do të ikë nga përgjegjësia (p.sh. se duhet ta aprovohet Asociacioni i komunitetit serb me autonomi qe Kurti e ka pranuar në versionin më të dëmshëm për Kosovën), ose që i janë ngjallë orekset për pushtet ku t’i ketë të gjitha postet e larta shtetërore nën komandën e tij një lakmi e secilit autoritarist.
Një prej shërbimeve më të mira që mund t’u bëhet armiqve të Kosovës është duke e bërë të pasuksesshme dhe jo funksionale atë – sikurse ishte gjatë vitit 2025 dhe edhe në këtë vit, kurse në sy të qeverive që na kanë mbështetur krijohet imazhi i një shteti që shkakton kriza, nuk i përfill standardet demokratike dhe ku nuk kultivohet kultura politike e kompromisit në interes të shtetit. Kjo është një kosto që për trille të Kurtit, po e paguan padrejtësisht Kosova.



