Kamerat e sigurisë zbardhin sulmin në darkë e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë
Video të kamerave të sigurisë të analizuara nga “Washington Post” kanë hedhur dritë mbi momentet dramatike të incidentit të armatosur pranë pikës së kontrollit jashtë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku u përfshi 31-vjeçari Cole Thomas Allen.
Pamjet tregojnë momentin kur Allen shfaqet duke vrapuar nga një hyrje e godinës me një armë të gjatë në duar dhe i afrohet zonës së sigurisë. Sipas videos, një agjent i Shërbimit Sekret reagon brenda pak sekondash duke nxjerrë armën dhe duke qëlluar katër herë në drejtim të tij.
Sipas raportimeve, tre prej të shtënave duket se janë drejtuar pranë punonjësve të tjerë të sigurisë që ndodheshin në zonë, ndërsa i dyshuari kalonte pranë tyre. Në pamje nuk evidentohet qartë që Allen të ketë qëlluar, ndërsa autoritetet kanë ngritur ndaj tij akuza të rënda, përfshirë përdorimin e armës së zjarrit gjatë një krimi të dhunshëm dhe tentativë vrasjeje ndaj presidentit.
Dokumentet hetimore bëjnë me dije se policia dëgjoi një të shtënë të fortë gjatë momentit kur Allen po kalonte pikën e kontrollit. Një agjent i Shërbimit Sekret dyshohet se është goditur nga një plumb në jelekun antiplumb, por më pas ka reaguar duke qëlluar disa herë. Ai ka marrë plagë të lehta dhe është liruar nga spitali.
Allen, i cili sipas autoriteteve përshkoi rreth 18 metra me vrap, nuk rezulton të jetë plagosur nga armë zjarri. Ai u rrëzua në tokë dhe më pas u arrestua nga forcat e sigurisë.
Shërbimi Sekret nuk ka komentuar mbi detajet e incidentit apo mbi faktin se në video nuk shihet qartë momenti i një të shtëne nga arma e të dyshuarit, duke deklaruar vetëm se masat e sigurisë kanë qenë vendimtare për neutralizimin e kërcënimit, shkruan Washington Post.
Ndërkohë, prokuroria amerikane vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, përfshirë edhe përcaktimin e saktë të numrit të të shtënave dhe origjinës së plumbit që dyshohet se ka goditur agjentin e Shërbimit Sekret.
Sipas ekspertëve të përfshirë në analizimin e materialeve, pamjet dhe gjurmët në vendngjarje sugjerojnë se incidenti ka ndodhur brenda pak sekondash dhe në një distancë shumë të afërt, duke e bërë të vështirë rikonstruksionin e saktë të të gjitha detajeve të shkëmbimit të zjarrit.





