Arrestohen dy persona për mashtrim kompjuterik, sekuestrohen mbi 48 mijë euro dhe dhjetë vetura
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për mashtrim kompjuterik.
Në një njoftim për medie, nga kjo prokurori është thënë se një ditë më parë ka realizuar bastisje në pesë lokacione të ndryshme.
Bastisjet janë zhvilluar në dy lokacione në fshatin Samadraxhë, Komuna e Suharekës, si dhe në tri lokacione në qytetin e Prishtinës.
“Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 48.350 euro para të gatshme, dhjetë (10) vetura me vlerë të përgjithshme rreth një (1) milion euro, si dhe pajisje elektronike, që pritet të shërbejnë si prova materiale në këtë procedurë penale”, është thënë në njoftim.
Personat e arrestuar janë ndaluar për 48 orë, derisa në njoftim thuhet se autoritetet e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Brenda afatit ligjor, sipas njoftimit, prokurori i shtetit do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.



