Nga zjarri i luftës te drita e lirisë: 28 vjet nga fillimi i përballjes në Ponoshec

03 maj 2026 | 21:50

Më 3 maj 1998, në fshatin Ponoshec të Gjakovës, nisën përplasjet e para të armatosura që shënuan fillimin e luftës në këtë zonë. Forcat policore serbe hynë në lagjen Alijaj, aty ku ishte vendosur një pjesë e ushtarëve të UÇK-së. Sapo u vërejtën automjetet e policisë, njësitet e UÇK-së reaguan menjëherë, duke i goditur me gjithë arsenalin që kishin në dispozicion.

Në këtë përballje, Hasan Alijaj u dallua për guximin e tij, duke goditur një nga automjetet e policisë me një armë krahu “Zola”, çka rezultoi me të vrarë dhe të plagosur në radhët e forcave serbe. Pas përleshjes, luftëtarët u angazhuan për të larguar familjet nga fshati, me qëllim që të shmangnin ndonjë masakër të mundshme nga policia dhe ushtria serbe.

Me ndihmën e luftëtarëve nga Morina, Stublla dhe Smolica, të cilët hapën front duke qëlluar në drejtim të forcave serbe, u bë e mundur evakuimi i një numri të madh familjesh. Megjithatë, atë ditë u arrestuan edhe disa banorë të Ponoshecit, të cilët u zunë në befasi gjatë zhvillimeve. Nga ky fshat kanë rënë për lirinë e Kosovës 14 dëshmorë, ka shumë veteranë e invalid të luftës së UÇK-së.

Komandanti i njohur Riza Alija, “Hoxha”, një ndër ushtarët e parë të UÇK-së, ka kujtuar këtë ngjarje përmes publikimit të dy fotografive – një nga viti 1998 dhe një tjetër nga viti 2026. Në fotografinë e parë shihet automjeti i forcave serbe i shkatërruar gjatë luftimeve, ndërsa në të dytën një mjet i Forcës së Sigurisë së Kosovës pranë lapidarit të dëshmorëve të Ponoshecit.

“Me datën 3 maj 1998 ky mjet i forcave serbe u hodh në erë në lagjen Alijaj nga vëllai im, Hasan Alijaj, duke lënë të vrarë dhe të plagosur në mesin e forcave serbe”, ka shkruar ai.

Duke reflektuar mbi rrugëtimin nga ajo ditë e deri më sot, ai thekson se sakrifica e luftëtarëve dhe e popullit solli lirinë dhe shtetin e Kosovës. Nga zjarri i luftës deri te drita e lirisë, çdo hap i sotëm mbetet një kujtim dhe një nderim për ata që dhanë jetën për një të ardhme të lirë. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Më vrisni, nuk meritoj të jetoj”, kështu mësohet të ketë…