Përkujtim me nderime të larta për dëshmorët e Llapit në Penuhë të Podujevës

05 maj 2026 | 17:25

Në një atmosferë të mbushur me emocione dhe krenari, sot u mbajt ceremonia përkujtimore në nderim të dëshmorëve të Llapit, në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së të Zonës Operative të Llapit, në fshatin Penuhë të Podujevës.

Familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, qytetarë dhe përfaqësues institucionalë u mblodhën për të nderuar sakrificën sublime të bijve më të mirë të këtij vendi, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Me këtë rast, Nexhmi Sokoli i cili ka nderuar të rënët për liri e ku në mesin e tyre ka edhe vëllain dhe kusheririn, theksoi rëndësinë e kujtimit dhe respektit të përhershëm për dëshmorët, duke vlerësuar lartë kontributin e tyre në rrugën drejt lirisë.

“Sot përjetuam një ditë thellësisht emocionale dhe plot domethënie. U mblodhëm së bashku për të përkujtuar dhe për të nderuar dëshmorët e Llapit, bijtë më të mirë të këtij vendi, që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë. Falë gjakut dhe sakrificës së tyre, ne sot jetojmë të lirë, ecim krenarë në tokën tonë dhe ndërtojmë të ardhmen tonë. Kujtimi për ta do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona,” ka deklaruar ai.

Në postimin e tij, Sokoli shprehu mirënjohje të veçantë për dëshmorët Muhamet Sokoli dhe Bedri Sokoli, duke i cilësuar ata si shembull të përkushtimit dhe sakrificës për atdheun.

Ceremonia u përmbyll me homazhe dhe vendosje kurorash lulesh pranë varreve të dëshmorëve, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje të përjetshme për veprën e tyre.

Lavdi e përjetshme për të gjithë dëshmorët e kombit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grup studentësh të vitit të parë të Fakultetit Juridik…