‘Shumë njerëz mendojnë se nuk di të luaj futboll’, Dembele thumbon kritikët
Ousmane Dembele është bërë protagonist jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, menjëherë pas kualifikimit të Paris Saint-Germainit në finalen e Champions League.
Pak minuta pas fishkëllimës së fundit në ndeshjen ndaj Bayern Munichut, sulmuesi francez e tërhoqi vëmendjen në rrjetet sociale me një gjest simbolik të lidhur me një deklaratë të mëparshme të Gavit.
Mesfushori i Barcelonës, në një konferencë për shtyp para ndeshjes së Champions League kundër Borussia Dortmundit kishte reaguar ndaj kritikave për talentin e tij me fjalë të drejtpërdrejta.
“Shumë njerëz mendojnë se nuk di të luaj futboll… nuk e kanë as idenë më të vogël. Kjo është e vërteta, por është normale. Në fund është futboll dhe secili mendon çfarë të dojë.”
Pas kualifikimit të PSG-së në finale, Dembele vendosi ta ripostojë pikërisht këtë video në rrjetet e tij sociale.
Një gjest që u interpretua si një përgjigje indirekte ndaj kritikëve të tij, pas arritjes në finalen e Budapestit.
Francezi nuk u ndal me kaq: pak më vonë publikoi edhe pamje nga festimet në dhomat e zhveshjes së PSG-së, së bashku me shokët e skuadrës.
Dembele po e zhvillon një tjetër sezon të jashtëzakonshëm dhe ishte vendimtar në përballjen ndaj Bayernit, ku kontribuoi në mënyrë direkte në suksesin e ekipit gjatë dy ndeshjeve të gjysmëfinales.
Sot ai konsiderohet si një nga liderët teknikë të PSG-së dhe një nga figurat kryesore të skuadrës që synon ta mbrojë titullin e Championsit.



