Ismaili-Ahmeti: Vendimi i Komunës së Prishtinës për të refuzuar kërkesën e Kishës Protestante për aktivitet në hapësirë publike është skandaloz
Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Ismaili-Ahmeti, ka theksuar se vendimi i Komunës së Prishtinës për të refuzuar kërkesën e Kishës Protestante për aktivitet në hapësirë publike është skandaloz, diskriminues dhe krijon precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes dhe lirinë fetare në Kosovë.
“Kryeqytetet moderne ndërtohen mbi pluralizëm, liri dhe barazi qytetare, jo mbi arrogancë institucionale dhe kufizim të lirive themelore. Prishtina nuk mund të pretendojë të jetë qytet modern, europian dhe tolerant, ndërkohë që diskriminon dhe cenzuron qytetarët”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ismaili-Ahmeti ka thënë se fundja, komuna nuk ekziston për të vendosur se kush duhet të mbyllet brenda katër mureve të objekteve fetare!
“Detyra e saj është të shërbejë qytetarët pa dallim dhe të garantojë qasje të barabartë në hapësirat publike, jo të veprojë kundër frymës demokratike mbi të cilën duhet të ndërtohet një kryeqytet europian. Në demokraci, institucionet nuk vendosin kush ka të drejtë të jetë në shesh – qytetarët e kanë atë të drejtë me Kushtetutë. Përparim Rama kështu nuk ndërtohet qyteti i mençur “smart city”. Kështu ndërtohet një qytet primitiv, përjashtues dhe me mendësi të vjetër komuniste, ku pushteti sillet si pronar i hapësirës publike dhe jo si shërbëtor i qytetarëve. Prishtina meriton të jetë kryeqytet i lirive të besimeve dhe pluralizmit qytetar!”, ka shkruar ish deputetja e PDK-së, Besa Ismaili-Ahmeti.



