Numër rekord i të burgosurve në Zvicër
Burgjet në Zvicër kanë regjistruar një numër rekord personash të privuar nga liria. Sipas të dhënave të fundit nga Zyra Federale e Statistikave, më 31 janar 2026 në këto institucione mbaheshin gjithsej 7119 persona.
Kjo është shifra më e lartë e regjistruar që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në këtë formë në vitin 1988, njoftojnë mediat zvicerane.
Pavarësisht këtij rekordi, Zyra Federale e Statistikave sqaron se në raport me rritjen e përgjithshme të popullsisë në Zvicër, shkalla e burgosjeve aktualisht është më e ulët se sa ishte dhjetë vite më parë.
Megjithatë, ngarkesa në 90 institucionet korrektuese të vendit është rritur ndjeshëm. Kjo do të thotë se shkalla e pranisë në burgje në nivel kombëtar ka arritur në 97 për qind.
Nga totali i të burgosurve, 63 për qind po vuajnë dënimin e rregullt ose masa të tjera ndëshkuese, ndërsa 31 për qind ndodhen në paraburgim ose për arsye sigurie. Pjesa e mbetur prej 6 për qind i takon motiveve të tjera të ndalimit.
Statistikat e vitit 2025 tregojnë një prirje të qartë drejt dënimeve me gjobë. Nga 111,962 dënime të regjistruara për të rritur, pjesa dërrmuese lidhet me shkeljet e ligjit për trafikun rrugor (57,150 raste).
Sa u përket 38,406 dënimeve sipas Kodit Penal, vendin kryesor e zënë veprat kundër pasurisë me 48 për qind, të ndjekura nga veprat kundër jetës dhe shëndetit (12 për qind) dhe krimet seksuale (3 për qind).
Gjoba me kusht është kthyer në sanksionin më të shpeshtë prej se nisi të aplikohej më 2007. Gjatë vitit raportues (31 janar 2025 – 31 janar 2026) gjobitja u shqiptua 78,693 herë. Nga ana tjetër, dënimet e shkurtra me burg pa kusht kanë arritur një minimum historik me vetëm 2937 raste.
Gjatë vitit 2025, gjykatat zvicerane kanë shqiptuar 2272 dëbime nga vendi. Mbi gjysma e këtyre dëbimeve janë caktuar për një kohëzgjatje prej më shumë se pesë vitesh.
Interesant është fakti se 37 për qind e personave të prekur nga ky vendim ishin shtetas të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.



