Dëshmitarja për transkriptet e ZPS-së: Disa interpretime të tingujve shkojnë përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme

12 maj 2026 | 11:34

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitarja e mbrojtjes së Hashim Thaçit, ekspertja Helen Fraser në gjykimin në të cilin Thaçi akuzohet së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Gjatë kundërpyetjeve të prokurorit Joshua Hafetz, dëshmitarja Fraser ka thënë se disa interpretime që u janë bërë tingujve në transkriptet e Prokurorisë shkojnë përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë besoj që disa nga komentet që janë bërë për shembull; persona që hyjnë e dalin nga dhoma- interpretimi që iu është bërë disa tingujve shkon përtej asaj që është objektivisht e transmetueshme nga një audio”, ka thënë ajo.

Përpara kësaj, pyetjet prokurori i ka nisur duke thënë se Fraser në raport ka theksuar se transkriptet përmbajnë shumë komente kontestuese lidhur me personat që hyjnë dhe dalin nga dhoma, interpretim të tingujve të ndryshëm si fëshfërima të letrave apo tinguj të kthimit të faqeve dhe të gjitha këto shkojnë përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme nga vetë audio.

Ndërsa sa i takon zhurmës së letrës për të cilën ka shkruar ekspertja në raportin e saj, Hafetz ka pyetur se kjo pjesë a pajtohet se nuk vlen dhe është e pasaktë.

Por, në pyetje paqartësi pati ekspertja dhe prokurori ka vazhduar me sqarim ndërkohë që përgjigja e Fraser ishte se është dakord me atë që ka shkruar në atë paragraf.

“Nuk e kuptoj këtë. Mbase unë po keqkuptoj. Nuk mund të them që nuk jam dakord me këtë që kam shkruar në paragrafin e fundit”, ka thënë ajo.

Veç kësaj, sa i përket zhurmës së letrave për të cilën flet transkripti i prokurorisë, Fraser ka thënë se është e paqartë se nga e dinin përkthyesit e ZPS-së që po ktheheshin faqet, pra si e kanë dalluar.

“Unë e kuptoj ku është keqkuptimi. Unë këtu kam dashur t’i referohem që kam thënë që mund të ketë pasur zhurmë që është kthimi i faqeve apo zhurmë letrash por ka qenë e paqartë nga ta dinë këta persona që ktheheshin faqet, që ktheheshin fletët, si e kanë dalluar këtë gjë”, ka thënë ajo.

Më pas, prokurori e ka pyetur se a është duke thënë dëshmitarja që nuk mund të transkriptohet tingulli si tingull i kthimit të fletëve.

“Është çështje tek terminologjia që disa tinguj janë objektivisht të transkriptueshëm dhe disa jo. Mendoj që është  e vështirë të kuptohet se çfarë është vërtetë të transkriptohet në mënyrë objektive nga një audio. Koncepti në vetvete është i vështirë”, ka thënë ajo.

Fraser ka thënë se për këtë pjesë ka thënë që shkon përtej asaj që është objektivisht e transkriptueshme dhe jo që është objektivisht e transkriptueshme.

“Unë besoj që disa nga komentet që janë bërë për shembull; persona që hyjnë e dalin nga dhoma- interpretimi që iu është bërë disa tingujve shkon përtej asaj që është objektivisht e transmetueshme nga një audio”, ka thënë ajo.

Ndërsa kur është pyetur se a qëndron edhe kjo për zhurmën e letrës, Fraser është përgjigjur se nëse dëgjon një fëshfërimë si mund të dihet që është tingull i një letre apo një zhurme tjetër.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur një aksion simbolik, lidhur me…