Lufta e Tahir dhe Nebih Mehës frymëzoi brezin e mëvonshëm të UÇK-së
13 Maji i vitit 1981 shënon një nga datat dhe qëndresat më heroike në historinë tonë kombëtare.
Tahir dhe Nebih Meha, me guximin dhe vendosmërinë e tyre, i dolën përballë forcave okupatore jugosllave, duke mbrojtur nderin dhe idealin e shqiptarëve.
Në këtë përvjetor, ata i nderuan kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, dhe veprimtarë të shumtë.
Kryetari Lushtaku ka theksuar se lufta e Tahir dhe Nebih Mehës përveç akt qëndrese deri në flijim, ishte edhe thirrje për liri që frymëzoi gjithë brezin e mëvonshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Sakrifica e Nebih e Tahir Mehës u bë simbol i pathyeshmërisë shqiptare dhe dëshmi se populli ynë kurrë nuk pajtohet me robërinë. Lavdi e përjetshme Tahir dhe Nebih Mehës!”, ka thënë Lushtaku.
Në 45-vjetorin e rënies heroike të Tahir dhe Nebih Mehës, edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka përkujtuar me nderim jetën, veprën dhe qëndresën e tyre të pavdekshme për liri dhe dinjitet kombëtar. “Sakrifica e familjes Meha mbetet një nga simbolet më të fuqishme të rezistencës shqiptare, frymëzim i përhershëm për brezat që luftuan dhe vazhdojnë ta duan atdheun me të njëjtin ideal”, thuhet në mesazhin e OVLUÇK-së.



