B9 dhe aleatët nordikë të NATO-s: Rusia mbetet kërcënimi kryesor për sigurinë e aleancës

13 maj 2026 | 16:57

Udhëheqësit e Nëntëshes së Bukureshtit (B9) dhe aleatëve nordikë të NATO-s, kanë thënë të mërkurën se Rusia mbetet “kërcënimi më i rrezikshëm, afatgjatë dhe i drejtpërdrejtë” i aleancës, duke theksuar nevojën për të përforcuar qëndrimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s përgjatë krahut të saj lindor.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas samitit në Bukuresht, udhëheqësit kanë thënë: se “Rusia është dhe do të mbetet kërcënimi më i rëndësishëm, afatgjatë dhe i drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve.”

Në deklaratë është thënë se NATO “duhet të përqendrohet në detyrën thelbësore të mbrojtjes kolektive, duke përfshirë edhe një qëndrim të fuqishëm mbrojtës përpara” në dritën e mjedisit aktual të sigurisë”.

Takimi ka mbledhur së bashku udhëheqës nga grupi B9 dhe aleatët nordikë, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

ShBA-ja gjithashtu ka marrë pjesë si vëzhguese.

Udhëheqësit kanë thënë se aleatët po rrisin investimet në mbrojtje dhe përpjekjet për ndarjen e barrës, ndërsa anëtarët e NATO-s punojnë drejt një objektivi për të shpenzuar 5 për qind të produktit të brendshëm bruto për mbrojtje.

Ata gjithashtu janë zotuae të forcojnë lëvizshmërinë ushtarake, sistemet e mbrojtjes nga raketat dhe infrastrukturën e NATO-s në krahun lindor, duke përfshirë zgjerimin e sistemit të tubacionit të karburantit të aleancës.

Grupi gjithashtu ka riafirmuar mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa mbështeti aspiratat euroatlantike të Kievit dhe ndihmën e vazhdueshme ushtarake.

“Ne riafirmojmë fuqimisht mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën”, është thënë në deklaratë, duke shtuar se mbështetja për Kievin është gjithashtu “një investim në sigurinë tonë”.

Udhëheqësit kanë shprehur gjithashtu mbështetje për përpjekjet e vazhdueshme të paqes të udhëhequra nga ShBA-ja në lidhje me Ukrainën dhe bënë thirrje për rritje të presionit mbi Rusinë që të angazhohet në negociata për t’i dhënë fund luftës.

Ata kanë shprehur shqetësim edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe mbështetën përpjekjet për të mbrojtur lirinë e lundrimit në ngushticën e Hormuzit.

Samiti i ardhshëm i B9 dhe aleatëve nordikë do të zhvillohet në Poloni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Strategjia e Milanit do të përcaktohet pas mbylljes së sezonit,…