Caka-Nimani: Interpretimet formaliste të Kushtetutës rrezikojnë demokracinë, mënyrë e qeverisjes populiste!
Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani ka folur për interpretimet e Kushtetutës së Kosovës që bëhen skajshmërisht formaliste, duke shtuar se kjo qasje ishte shembulli i krizës politike dhe kushtetuese përgjatë 2025-ës në Kosovë.
“Shembulli i krizës politike dhe kushtetuese përgjatë vitit 2025 reflekton pikërisht këtë qasje. Ngjashëm, lehtësia me të cilën shqyrtohen amendamentet kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës në mesnatë, ngjashëm miratimi i vazhdueshëm, i përsëritur i ligjeve në Kuvend me procedurë të përshpejtuar përkundër faktit se ekziston një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese për këtë aspekt”, tha ajo.
Në një podcast të “Betimi për Drejtësi”, Caka-Nimani theksoi se një qasje e tillë, pra e interpretimit formalist kushtetues ose ligjor, rrezikon demokracinë.
“Qasjet e tilla, skajshmërishtë formaliste të interpretimit kushtetues ose ligjor, kanë rrezikun që gradualisht të shndërrojnë demokracitë në një koncept krejtësisht teorik, në një realitet krejtësisht të zbrazët”, tha ajo.
Por, duke bërë krahasime me vendet e tjera, ajo tha se Kosova nuk është vend i izoluar në këtë kontekst.
“Kjo është tendencë-mënyrë e qeverisjes së kryesisht forcave populiste kur vijnë në pushtet”, tha Caka-Nimani.
Ajo përmendi që raportet e Komisionit të Venecias e kanë tërhequr vëmendjen, duke thënë se një qasje e tillë rrezikon demokracinë dhe sundimin e ligjit.



