Integrimi në SEPA pritet të sjellë pagesa më të shpejta, më transparente dhe me kosto më të ulët për qytetarët dhe bizneset

15 maj 2026 | 13:22

Zëvendësguvernatori Fusha mori pjesë në panelin hapës të nivelit të lartë, i cili trajtoi perspektivën rregullative për rajonin e Ballkanit dhe prioritetet strategjike që po formësojnë të ardhmen e pagesave dhe shërbimeve financiare.

Gjatë diskutimit, Fusha theksoi se transformimi i pagesave në rajon tashmë është në zhvillim aktiv përmes reformave ligjore, modernizimit të infrastrukturës së pagesave, iniciativave për interoperabilitet dhe përafrimit me standardet evropiane.

Ai veçoi rëndësinë e reformave të vazhdueshme të Kosovës në fushën e pagesave, përfshirë progresin drejt integrimit në SEPA, zhvillimin e infrastrukturës për pagesa instant TIPS Clone, zbatimin e Ligjit të ri për Shërbimet e Pagesave dhe përgatitjet për Open Banking.

Në këtë kontekst, ai theksoi se integrimi në SEPA pritet të sjellë pagesa më të shpejta, më transparente dhe me kosto më të ulët për qytetarët dhe bizneset, duke rritur njëkohësisht qasjen, vizibilitetin dhe mundësitë e bashkëpunimit të bizneseve kosovare me partnerë dhe platforma ndërkombëtare, si dhe duke forcuar besimin e investitorëve dhe integrimin ekonomik me tregun evropian.

Fusha po ashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe interoperabilitetit në mbështetje të përfshirjes financiare, inovacionit, pagesave më efikase ndërkufitare dhe zhvillimit më të gjerë ekonomik, duke theksuar njëkohësisht nevojën për ruajtjen e stabilitetit financiar, qëndrueshmërisë operacionale, sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së konsumatorit gjatë këtij procesi transformues.

Pjesëmarrja e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në këtë forum pasqyron përkushtimin e saj të vazhdueshëm për avancimin e modernizimit të pagesave, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjen e integrimit të Kosovës në infrastrukturat dhe standardet financiare evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sami Lushtaku ka kujtuar me respekt dhe krenari jetën dhe…