Qerimi: Kurti po e përdor pushtetin si instrument të presionit politik
Profesori Gëzim Qerimi paralajmëron se qasja e qeverisë po dëmton demokracinë, po polarizon shoqërinë dhe po krijon një klimë frike në Kosovë.
Profesori universitar Gëzim Qerimi ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin Kurtit, duke e akuzuar se po e shndërron pushtetin në një instrument presioni politik dhe hakmarrjeje ndaj këdo që nuk i nënshtrohet narrativës së tij. Sipas Qerimit, kjo qasje e rrezikshme po dëmton demokracinë, po polarizon shoqërinë dhe po krijon një klimë frike e tensioni në vend.
“Shteti nuk është pronë e një partie dhe institucionet nuk duhet të përdoren për propagandë politike apo për goditje selektive ndaj rajoneve dhe kundërshtarëve politikë,” shkruan profesori. Ai thekson se qytetarët e Kosovës nuk kanë sakrifikuar për një pushtet që sillet me arrogancë, përçarje dhe standarde të dyfishta.
Qerimi kujton se Drenica ka qëndruar përballë regjimeve shumë më të fuqishme dhe nuk do të heshtë as sot përballë padrejtësive, presioneve politike dhe abuzimit me institucionet shtetërore. “Demokracia mbrohet duke folur hapur kundër çdo tendence autoritare, pavarësisht kush është në pushtet,” përfundon ai.



