Studentët kërkojnë dorëheqjen e Ministrit të Drejtësisë që po kundërshton provimin në gjuhën shqipe
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, sot kanë dalë në protestë sërish, për siç thonë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Njëri nga protestuesit në fjalën e tij tha se nga protesta e parë nuk kanë marrë përgjigje dhe prandaj kanë dalë sërish të protestojnë.
Mes tjerash studentët kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov.
“Sot jemi përsëri këtu, jo sepse kemi dëshirë të protestojmë, por sepse nuk kemi përgjigje. Pas protestës së parë, pritëm reflektim, pritëm dialog, pritëm përgjegjësi institucionale, pritëm harmonizimin e ligjit për gjuhët me ligj për jurisprudencën, por ajo që morëm ishte heshtje për të realizuar kërkesën tonë”, deklaroi protestuesi, transmeton Rtv21.
Kryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se janë marrë vesh me kryeminsitrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe se kjo çështje do të rregullohet për 3 muaj.
“Ashtu siç i kemi zgjidhur këto dikastere, do të vazhdojmë me provimin e jurisprudencës që është kërkesë e studentëve, por jo vetëm te jurisprudenca, ne kemi rënë dakord që ligji i gjuhëve të zbatohet edhe në fusha tjera ku ka të bëjë me provime profesionale apo me licenca që duhet të merren. Nuk kemi kërkuar jemi marrë vesh, jemi dakorduar, është deklaratë e përbashkët e kryeministrit dhe dy partnerëve qeverisës VMRO dhe VLEN. Le të jetë një afat tre mujor sepse ka procedurë duhet të bëhet propozim ndryshim të ligjit, duhet të kaloi në Qeveri duhet të kaloi në Parlament”, ka deklaruar Mexhiti.



