Kolegji Biznesi organizoi Konferencën e 13-të Shkencore Ndërkombëtare me temën “E ardhmja digjitale në ekonomi, juridik dhe menaxhimin e emergjencave”
Kolegji Biznesi, në bashkëpunim me Institutin për Kërkime Shkencore dhe Zhvillim – Ulqin, organizoi Konferencën e 13-të Shkencore Ndërkombëtare me temë “E ardhmja digjitale në fushën ekonomike, juridike dhe emergjencave”, e cila u mbajt me 21. 06. 2026 në Prishtinë me pjesëmarrje fizike dhe online.
Konferenca mblodhi profesorë, studiues, ekspertë, përfaqësues të institucioneve, industrisë, alumni dhe studentë nga fusha përkatese akademike dhe profesionale, me qëllim të diskutimit të zhvillimeve bashkëkohore dhe ndikimit të transformimit digjital në ekonomi, shkenca kompjuterike, juridik dhe menaxhimin e emergjencave.
Në kuadër të konferencës u zhvilluan katër sesione shkencore në fushën e ekonomisë, , shkencave kompjuterike, juridikut dhe menaxhimi emergjencave, ku u prezantuan gjithsej 66 punime shkencore nga 114 autorë dhe bashkautorë vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Konferenca trajtoi tema aktuale si inteligjenca artificiale, transformimi digjital, siguria kibernetike, FinTech, menaxhimi digjital, ekonomia digjitale, mbrojtja e të dhënave, digjitalizimi i sistemit juridik dhe përdorimi i teknologjisë në menaxhimin e emergjencave.
Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues nga industria dhe alumni, të cilët diskutuan për rëndësinë e lidhjes ndërmjet akademisë dhe praktikës profesionale, si dhe për nevojën e zhvillimit të kompetencave digjitale në tregun modern të punës.
Organizatorët vlerësuan se konferenca paraqet një platformë të rëndësishme për promovimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e ideve dhe forcimin e bashkëpunimit akademik dhe profesional në nivel vendor dhe ndërkombëtar.
Në përfundim të konferencës, u nxorën edhe rekomandimet kryesore të konferencës.




