Hormuzi po rihapet, thotë zyrtari amerikan
Shtetet e Bashkuara do të mbajnë një bllokadë detare të anijeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit derisa të nënshkruhet një marrëveshje, tha të dielën Presidenti i SHBA-së Donald Trump, ndërsa zyrtarë të lartë nga administrata e tij pohuan se negociatorët do të kishin 60 ditë për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Bllokada amerikane ndaj anijeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet në fuqi të plotë derisa të arrihet, certifikohet dhe nënshkruhet një marrëveshje, shkroi Donald Trump në Truth Social. Të dyja palët duhet të marrin kohën e tyre dhe ta bëjnë siç duhet, shtoi ai.
Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga qeveria iraniane, por agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, raportoi se SHBA-të ende po bllokonin pjesë të një marrëveshjeje të mundshme, përfshirë kërkesën e Teheranit për lirimin e fondeve të ngrira.
Një ditë më parë, Trump tha se Uashingtoni dhe Irani kishin rënë dakord kryesisht për një memorandum mirëkuptimi që do të formonte bazën e një marrëveshjeje paqeje dhe do të rihapte Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe globale e transportit detar për naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Një zyrtar i lartë i administratës Trump u tha gazetarëve se marrëveshja nuk do të nënshkruhej të dielën, por dha një “përmbledhje të azhurnuar” të asaj që po negociohej. Zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Irani kishte rënë dakord në parim të hapte Ngushticën e Hormuzit në këmbim të heqjes së bllokadës detare të SHBA-së dhe heqjes së uraniumit të pasuruar shumë. Ai shtoi se Uashingtoni besonte se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Muxhahedin Khamenei , kishte miratuar kornizën më të gjerë të marrëveshjes.
Nuk kishte konfirmim ose sqarim të menjëhershëm nga Irani se çfarë nënkuptonte marrëveshja në parim.
Zyrtari amerikan tha se Uashingtoni fillimisht parashikoi rihapjen e ngushticës dhe heqjen e bllokadës detare të SHBA-së. Negociatat mbi detajet e masave bërthamore do të zgjasin më shumë, tha ai. Ai hodhi poshtë pretendimet se Irani nuk e kishte pranuar asgjësimin e rezervave të tij të uraniumit të pasuruar. Pyetja është – si?, tha zyrtari.
Një zyrtar tjetër i lartë i administratës tha të dielën se korniza e propozuar do t’u jepte negociatorëve 60 ditë për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Burime iraniane i thanë Reuters se në fazat e ardhshme mund të gjenden formula të realizueshme për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi rezervat e uraniumit të pasuruar shumë të Iranit, duke përfshirë hollimin e tij nën mbikëqyrjen e mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së.
Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi që nga fillimi i prillit dhe të dy palët vazhdojnë të kenë dallime në disa çështje – ambiciet bërthamore të Iranit, lufta e Izraelit në Liban kundër milicisë pro-iraniane Hezbollah dhe kërkesa e Teheranit për heqjen e sanksioneve dhe “zhbllokimin” e dhjetëra miliarda dollarëve të të ardhurave iraniane nga nafta të “ngrira” në bankat e huaja.



