KQZ-ja del me disa sqarime sa i përket votimit përmes postës
Pas shqetësimeve të ngritura nga disa votues jashtë Kosovës për mungesën e shiritit ngjitës në pakon e votimit përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka vlerësuar të nevojshme të sqarojë disa çështje që kanë të bëjnë me votimin jashtë Kosovës, përkatësisht votimin përmes postës.
KQZ-ja ka njoftuar se, ashtu si në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën në dhjetor të vitit 2025, edhe në zgjedhjet aktuale të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, nuk është paraparë përdorimi i shiritit ngjitës të KQZ-së, i cili ishte përdorur në Zgjedhjet Lokale 2025.
Procesi i votimit me postë zhvillohet në atë mënyrë që votuesi e vendos fletëvotimin në zarfin e fshehtësisë, i cili mbyllet me ngjitësin standard që e posedon vet zarfi. Pra, mungesa e një shiriti shtesë ngjitës nuk e cenon vlefshmërinë e fletëvotimit.
KQZ-ja vazhdimisht ka ndërmarrë masa sigurie në procesin e votimit jashtë vendit dhe një e tillë, nga Zgjedhjet Lokale 2025 dhe në proceset zgjedhore në vazhdim, është pikërisht dërgimi nga KQZ i pakos me fletëvotimin e shtypur dhe materialet tjera përcjellëse në adresë të votuesve të regjistruar.
Fletëvotimet të cilat janë të vendosura në pakon individuale, janë fletëvotime që përmbajnë elementet e sigurisë, të ngjashme me fletëvotimet që përdoren në Kosovë, në procesin e votimit në vendvotime. Këto elemente sigurie janë të përcaktuara nga KQZ në Rregulloren Zgjedhore për fletëvotimet dhe broshurat. Ato përmbajnë së paku tri veçori të sigurisë, të cilat i bëjnë ato të mbrojtura nga kopjimi apo falsifikimi. Këto veçori përfshijnë mikroshtypin, UV printin dhe elementin “anti-copy”, i cili shfaq shenjë dalluese në rast se tentohet kopjimi i fletëvotimit.
Po ashtu, KQZ-ja ka sqaruar se secili fletëvotim që u është dërguar votuesve jashtë Kosovës për votim përmes postës, është i vulosur në pjesën e pasme me vulë ngjyrë të zezë. Pra, vula e vendosur në këto fletëvotime është me ngjyrë të zezë dhe nuk do të thotë se fletëvotimi është kopje.
Përveç këtyre elementeve, votimi me postë sigurohet edhe me pajisjen e votuesve me dëftesën e regjistrimit, një dokument unik që KQZ ua dërgon çdo aplikuesi pasi arrin regjistrohet suksesshëm si votues jashtë Kosovës.
Në mënyrë që procesi i votimit përmes postës të jetë i vlefshëm, votuesit duhet të ndjekin udhëzimet e KQZ-së, si në vijim:
- Plotësoni fletëvotimin;
- fletëvotimin e plotësuar vendoseni në zarfin e fshehtësisë;
- zarfin e fshehtësisë me fletëvotimin brenda dhe dëftesën e regjistrimit vendoseni në zarfin kthyes;
- mbi zarfin kthyes, shënoni adresën e kutisë postare; dhe
- vendoseni pullën postare (nëse aplikohet në shtetin ku jetoni) dhe dërgojeni zarfin në postë.
Në fund, KQZ-ja ka ftuar për vëmendje votuesit përmes postës se pako e tyre me fletëvotim duhet të jetë individuale dhe duhet të arrijë në kutinë postare të vendit përkatës më së largu deri më 6 qershor 2026.



