XHEVAT ZEKAJ I PANËNSHTRUAR PARA PUSHTUESIT, I PATHYER PARA VUAJTJEVE, BESNIK NDAJ KOSOVËS DHE SHQIPËRISË

28 tetor 2026 | 17:32

Ismet Sylejmani

Më 22 tetor 2026, pas përfundimit të ekspozitës në nderim të Heronjve të Kombit, Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci mbajtur në Reporting House, ishte organizuar një koktej për pjesëmarrësit e ekspozitës!

Na njoftuan se kokteji do të mbahej në një vend me një emër të veçantë, me një emër që në vetvete përmbante një histori të tërë sakrificash, vuajtjesh, qëndrese dhe përpjekjesh për liri, ai vend ishte Burgu i Idealit!

Në qendër të Prishtinës ndodhet ndërtesa e ish-Burgut Qendror, një ndërtesë që dikur ishte vend i izolimit, i torturave çnherëzore, i rdahjeve shtazarake, i vuajtjeve dhe i dënimeve të atdhetarëve shqiptarë, ndërsa sot është shndërruar në Burg-Muze dhe mban emrin domethënës, Burgu i Idealit!

Lufta heroike dhe titanike e UÇK-së, gjaku i derdhur i Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit, bënë të mundur çlirimin e Kosovës nga SHBA e NATO, dhe solli realitetin e ri, ky është ndryshim i madh historik!

Dikur aty burgoseshin njerëzit që kërkonin lirinë dhe çlirimin e Kosovës, ndërsa sot njerëzit e lirë hyjnë për të nderuar kujtimin në nderim të tyre!

Dikur dyert e atij burgu mbylleshin mbi trupat e atdhetarëve shqiptarë, ndërsa sot ato hapen për të dëshmuar se ideali për të cilin ata u burgosën, u torturuan dhe u sakrifikuan, nuk mundi të burgosej kurrë!

Mirëpo, për mua, ajo që do të përjetoja brenda atyre mureve nuk do të ishte një vizitë e zakonshme!

Ishte një përballje e rëndë shpirtërore me historinë e gjallë të vuajtjeve, me kujtimet e Udhëheqësve, shokëve e bashkëveprimtarëve, me sakrificat e një brezi që kishte marrë mbi supet e veta barrën e luftës për lirinë dhe çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia dhe Serbia pushtuese!

Kur arritëm te Burgu i Idealit, pjesëmarrja ishte jashtëzakonisht e madhe!

Hapësira ishte e ngushtë, një koridor i gjatë ishte mbushur me njerëz, radha për t’u shërbyer me ushqim ishte e gjatë, ndërsa bisedat zhvilloheshin në këmbë, në një atmosferë që dukej festive, por që për mua kishte një kuptim krejt tjetër!

Në një vend tjetër, një koktej i tillë do të ishte një ngjarje e zakonshme shoqërore!

Por jo aty!
Jo në ato korridore!
Jo brenda atyre mureve ku dikur ishin dëgjuar urdhra policësh, udbashësh, ku kishin kaluar të burgosur politikë shqiptarë, ku ishin përjetuar izolimi, torturat, uria, ankthi dhe pritja e gjatë e lirisë!

Morëm nga një pjatë dhe u shërbyem me pak ushqim!
Dhe pikërisht aty filloi një nga përjetimet më të rënda shpirtërore të jetës sime!

Për herë të parë në jetën time, kisha ushqim përpara, por nuk mund të haja!

Nuk ishte mungesë oreksi!
Nuk ishte as lodhje!
Ishte diçka shumë më e thellë, shumë më e rëndë dhe shumë më tronditëse!
Herë pas here e shikoja Shokun tim Xhevatin!

E dija se ndodhesha në një burg ku kishin vuajtur atdhetarë dhe patriotë shqiptarë, ku njerëz të përkushtuar ndaj lirisë dhe çlirimit te Atdheut, kishin kaluar ditë e net të tëra pa bukë, ku grevat e urisë ishin shndërruar në një formë të qëndresës kundër padrejtësisë dhe shtypjes!

Unë mbaja një pjatë me ushqim në duar, ndërsa mendja më shkonte te ata që dikur kishin qëndruar aty me stomakun bosh, me trupin e rraskapitur, të dërmuar e gjakatosur, por me bindjen e pathyer se Kosova duhej të bëhej e lirë!
Sa e rëndë është të hash bukë në vendin ku të tjerëve, bashkëmendimtarëve e bashkëveprimtarëve, dikur u është mohuar ajo!

Sa e dhimbshme është ta kesh lirinë tënde përpara dhe të kujtosh ata që për atë liri kishin dhënë rininë, shëndetin dhe vitet më të bukura të jetës së tyre!
Por, në të njëjtën kohë, brenda meje lindi edhe një ndjenjë tjetër!

Dëshiroja të haja ushqimin!

Po, dëshiroja të merrja disa kafshata, sepse e dija se kjo ditë nuk kishte ardhur vetvetiu, por ishte berë rrugë e gjatë lufte e përpjekjeje!

Që ai burg të shndërrohej nga një institucion i represionit në një muze të kujtesës kombëtare, ishte dashur një veprimtari e gjatë atdhetare, politike, patriotike dhe revolucionare!

Ishin dashur dekada organizimi, ilegaliteti, përndjekjeje, burgosjesh, sakrificash dhe qëndrese heroike të heronjëve të gjallë, të mëdhenjë e më pak të mëdhenj!

Ishte dashur të zhvillohej luftë!

Ishte dashur të derdhej gjak!

Ishte dashur që bijtë dhe bijat më të vendosur të popullit shqiptar të merrnin mbi vete përgjegjësinë e rëndë historike të luftës për çlirimin me armë në dorë të Kosovës!

Dhe unë, si pjesë e atij kontingjenti të madh atdhetarësh e veprimtarësh, e ndieja se ato pak kafshata nuk ishin thjesht ushqim i rëndomtë!

Ato ishin edhe dëshmi e një kohe tjetër!

E një kohe kur ne mund të hynim dhe të dilnim të lirë nga një ndërtesë, nga e cila dikur Udhëheqësit, Shokët dhe bashkëveprimtarët tanë nuk mund të dilnin sipas vullnetit të tyre!

Prandaj mora disa kafshata!
Por buka mezi më kalonte në fyt, sepse zemra më qante dhe mundohesha të rrija i qetë përpara Xhevatit!

Brenda meje përplaseshin dy botë, gëzimi për lirinë e fituar dhe dhimbja për çmimin e tmerrshëm që ishte paguar për të!

Ndihesha sikur shpirti po më çahej nga kujtimet dhe sikur, në çdo çast, do të shpërtheja në vaj nga një dhimbje që nuk mund ta shpjegoja me fjalë!

Por me vonë doli se kulmi i këtij përjetimi ende nuk kishte ardhur!

Kulmi erdhi kur, së bashku me Shokun Xhevat Zekaj, filluam të lëviznim nëpër hapësirat e ish-burgut, ku Ai vetë dhe shumë shokë e bashkëveprimtarë të tjerë kishin vuajtur dënimet dhe izolimin!

Atëherë aty gjithçka ndryshoi!

Nuk po ecja më vetëm nëpër një ndërtesë historike!

Po ecja përkrah një njeriu që kishte qenë vetë i burgosur brenda atyre mureve!

Për mua, Shoku Xhevat Zekaj nuk ishte një vizitor i zakonshëm!

Ai ishte dëshmitar i gjallë i atij burgu, një njeri që kishte provuar mbi trupin dhe shpirtin e vet peshën e represionit jugosllav, serb e tradhêtar kundër veprimtarisë së Tij atdhetare çlirimtare shqiptare!

Filluam t’i vizitonim dhomat njëra pas tjetrës!

Kaluam korridoret, dolëm në shëtitore, u ngjitëm në pjesën e sipërme, prej nga policët dikur i vëzhgonin të burgosurit gjatë shëtitjes së tyre, dhe pastaj u kthyem përsëri te dhomat!

Mendoja për ato ecje të shkurtra që për të burgosurit kishin qenë një nga mundësitë e pakta për të dalë nga izolimi i qelive!

Mendoja për dallimin e madh ndërmjet nesh sot dhe atyre atëhere!

Ne po lëviznim të lirë, ndaleshim ku dëshironim, bisedonim dhe ktheheshim sipas vullnetit tonë!

Ata dikur nuk kishin pasur as lirinë të vendosnin sa gjatë do të qëndronin në ajër të hapur!

Sa e shtrenjtë është bërë liria, çlirimi dhe Pavarësia e Kosovës, kur e sheh vendin ku ajo u ishte mohuar njerëzve që kishin luftuar për të!

Gjatë vizitës sa ishim aty, takuam edhe Naim Balidemajn, djalin e atdhetarit të madh Rexhep Balidemaj!

Naimi kishte qëndruar disa çaste në dhomën numër 5, në të cilën babai i tij, atdhetari Rexhep Balidemaj, kishte kaluar nëntë muaj burgimi!
Nëntë muaj!
Nëntë muaj nga jeta e një njeriu, të kaluar brenda një dhome burgu!

Por çfarë kuptimi mund të kenë nëntë muaj për një djalë që sot hyn në atë dhomë dhe e di se aty dikurë ka vuajtur blBabai i tij?!

Çfarë mund të ndiejë një djalë kur qëndron në vendin ku Babait të tij i ishte në atë dhimë vuajtje?!

Për mua, takimi me Naimin në atë vend kishte një domethënie të jashtëzakonshme njerëzore dhe kombëtare!

Aty takoheshin dy kohë!

Koha e baballarëve që kishin vuajtur për lirinë dhe koha e bijve që sot mund të hyjnë të lirë në vendet ku prindërit e tyre ishin mbajtur të burgosur!

Pastaj i tregova Naimit se edhe Shoku Xhevat Zekaj, kishte qenë i burgosur ketu në këtë burg!

Dhe pikërisht në dhomën numër 2, ku kishte qëndruar plot tre muaj!

Tre muaj në vetmi!

Tre muaj izolim, ku njeriu përballet jo vetëm me muret që e rrethojnë, por edhe me peshën e rëndë të heshtjes, me dashurinë ndaj çështjes kombëtare, më shqetësimin për shokët e organizuar që veprojnë jashtë mureve të qelive e të burgjeve, me mallin për familjen, me pasigurinë për të nesërmen dhe me përpjekjen dhe qendresën për ta mbajtur të pathyer vullnetin e vet!

Xhevati sigurisht se nuk e shikonte atë dhomë si ne!
Unë po e shikoja për herë të parë si muze!

Ai me siguri se po e rikthente në kujtesë të Tij si një pjesë të jetës së Tij dikur dhe si Burg Muze te Idealit!

Dhe pikërisht aty u shfaq një hollësi që, për mendimin tim, ka rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e së vërtetës historike!

Xhevati ishte i pakënaqur me disa ndryshime që i ishin bërë pamjes së brendshme të ambientit!

Ai shpjegonte se në kohën kur kishte qenë i burgosur, në dhomë nuk kishte pasur banjë!

Në vend të saj, kishte qenë një enë e ngjashme me kovë, e cila shërbente për kryerjen e nevojave fiziologjike!

Çdo mëngjes, të burgosurit duhej ta merrnin atë enë, ta zbraznin në tualetin e zakonshëm dhe ta pastronin!

E dëgjoja Xhevatin dhe ndieja se çdo fjalë e tij kishte një peshë të rëndë!

Sepse kjo nuk ishte një hollësi e parëndësishme e jetës së burgut nga të burgosurit!

Ishte pjesë e realitetit të përditshëm të të burgosurve politikë shqiptarë!

Ishte një nga ato forma të poshtërimit njerëzor që nuk mund të kuptohen plotësisht nëse nuk njihen kushtet e vërteta në të cilat ata kishin jetuar!

Dhe këtu lind një përgjegjësi e madhe!

Kur një burg shndërrohet në muze, nuk mjafton vetëm t’i ruhet ndërtesa!
Atij burgu duhet t’i ruhet edhe e vërteta reale!

Nëse një dhomë burgu ndryshohet aq shumë sa ish-i burgosuri nuk e njeh më realitetin në të cilin ka vuajtur, atëherë kemi rrezikuar të humbim një pjesë të dëshmisë së saktë historike!

Muzeu nuk duhet ta zbukurojë burgun!
Duhet ta dëshmojë atë!

Duhet të tregojë jo vetëm kush ishte burgosur, por edhe si kishte jetuar, si ishte trajtuar, çfarë kishte përballuar, sikur dihet se përse kishte qëndruar i pathyer!

Memoria kombëtare nuk ndërtohet duke i fshehur vuajtjet, por duke ua treguar brezave me vërtetësi dhe me saktësi!

Nga tetë vjet burg që Xhevat Zekaj kishte vuajtur për veprimtarinë e tij atdhetare, politike, patriotike e revolucionare për lirinë dhe çlirimin e Kosovës nga pushtimi jugosllavo-serb, tre muaj i kishte kaluar në dhomën numër 2 të Burgut Qendror të Prishtinës, në vetmi!

Tetë vjet burg!

Tetë vjet nga jeta e një njeriu!

Tetë vjet larg jetës së lirë, larg familjes, larg shokëve, larg mundësive që i takojnë çdo njeriu!

Por ato vite ishin bërë pjesë e çmimit të rëndë që brezi historik i tij pagoi për idealin kombëtar, për Kosovën e lirë e të pavarur nga Serbia pushtuese!

Duke ecur më tej nëpër labirinthet e ish-burgut famkeq, arritëm edhe te vendi ku ishin zhvilluar vizitat e familjarëve!

Aty Xhevati ma tregoi pozicionin ku qëndronte ai gjatë vizitave dhe anën tjetër ku qëndronin familjarët e tij!

Ishte një tjetër çast thellësisht tronditës!

Mendova se sa e rëndë duhet të ketë qenë për një të burgosur ta shihte pjestarin e familjes së Tij dhe të mos mund të largohej së bashku me të!

Sa i rëndë duhet të ketë qenë përfundimi i një vizite, kur i burgosuri duhej të kthehej përsëri në qeli, ndërsa familjarët të largoheshin duke e lënë pas njeriun e tyre të dashur, te torturuar barbarisht e në gjendje të rëndë!

Sa Nëna shqiptare do të kenë pritur kthimin e bijve të tyre?!

Sa Nëna e Baballarë, bashkëshorte, fëmijë, vëllezër e motra, nipër e mbesa i kanë numëruar ditët, muajt dhe vitet e burgjeve të njerëzve të tyre të daahur?!

Sigurisht se shume prej atyre të burgosurve heronjësh do ta kenë fshehur dhimbjen përpara familjarëve, vetëm e vetëm që të mos ua shtonin vuajtjet atyre?!

Nuk kam qenë dëshmitar i atyre takimeve, por duke qëndruar aty, pranë Xhevatit, ishte e pamundur të mos mendoja për gjithë atë histori të dramës njerëzore që kishte kaluar nëpër atë vend, Shok hero i gjallë i vuajtjeve dhe torturave çnjerëzore!

Përmasat e luftës për liri e çlirim të Atdheut nga zgjedha pushtuese serbe, nuk maten vetëm me betejat e ndryshme të zhvilluara ghatë luftës së armatosur çlirimtare të UÇK-së dhe me gjakun e derdhur në front!

Ato maten edhe me vitet e burgut, me izolimin, me netët e gjata të ankthit, me torturat, me qëndresën përballë dhunës dhe me familjet që bartën mbi supe pasojat e veprimtarisë atdhetare!

Lufta për lirinë dhe çlirimin e Kosovës nuk filloi vetëm kur u dëgjuan krismat e armëve të lirisë!

Ajo kishte rrënjë të thella në ndërgjegjen e popullit, në organizimet ilegale, në qëndresën politike, në burgjet e ish-Jugosllavisë, në demonstratat, në përndjekjet dhe në sakrificat e brezave të tërë liridashës!

Shumë prej atyre bijëve e bijave që kishin kaluar nëpër burgje, më vonë u bënë pjesë e luftës së armatosur dhe përpjekjeve të mëdha që çuan në çlirimin e Kosovës!

Prandaj, nuk mund të kuptohet plotësisht historia e lirisë dhe çlirimit tonë pa u njohur historia e ish – të burgosurve politikë shqiptarë!

Në fund, së bashku me Shokun Xhevat Zekaj, e me miq të tjerë, dolëm nga ndërtesa e Burgut të Idealit!

Dolëm nga dera e burgut si njerëz të lirë!

Por unë nuk dola shpirtërisht ashtu siç kisha hyrë!

Dola me një dhimbje të madhe në shpirt, me zemrën e rënduar dhe me një tronditje të thellë emocionale, të cilën nuk e kisha përjetuar në ato përmasa asnjëherë më parë në jetën time!

Nuk më hiqej nga mendja pjata me ushqim që kisha mbajtur në dorë!

Nuk më hiqej nga mendja dhoma numër 2, ku Shoku Xhevat Zekaj kishte kaluar tre muaj në vetmi!

Nuk më hiqej nga mendja vendi i vizitave familjare!

Dhe, mbi të gjitha, nuk më hiqej nga mendja fakti se për mua ato ishin disa orë vizite, ndërsa për Ushëheqësit, Shokët, e për bashkëveprimtarët e mi kishin qenë muaj dhe vite të tëra jete!

Sa i madh ky dallim!

Unë dola kur desha!

Ata kishin dalë vetëm kur ua kishin lejuar të tjerët, pasi kishin vuajtur dënimet apo pas vendimeve të autoriteteve pushtuese e tradhëtare që i kishin burgosur!

Kjo ishte e vërteta që më goditi më rëndë se gjithçka tjetër!

Në jetën time kisha vizituar edhe Burgun-Muze të Gjirokastrës.
Ai kishte qenë burgu i parë muze që kisha vizituar!

Por ky i Prishtinës ishte i dyti dhe, për mua, kishte një peshë të veçantë shpirtërore!

Sepse në këtë burg kishin vuajtur shokët tanë!

Kishin vuajtur udhëheqësit tanë!
Kishin vuajtur bashkëveprimtarët tanë!

Kishin vuajtur atdhetarë, patriotë dhe revolucionarë të shquar shqiptarë të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi!

Ishte një rikthim shpirtëror në rrugën e gjatë dhe të mundimshme të lirisë së Kosovës!

Dhe dua ta përfundoj këtë shkrim me një ndjenjë që nuk më është larguar që nga ajo ditë!

Kur hyra në atë burg, e dija se po hyja në një vend historik!

Kur dola nga aty, e kuptova dhe e ndjeva edhe më thellë, se sa shumë jetë njerëzore, sa shumë dhimbje dhe sa shumë sakrifica të panumërta qëndrojnë pas fjalës LIRI, ÇLIRIM E PAVARËSI të KOSOVËS nga Serbia pushtuese!

Atë ditë, në atë burg, mora disa kafshata bukë, por nuk munda t’i shijoja!

Sepse përpara syve të mi nuk ishte vetëm buka!

Ishin Udhëheqësit, Shokët e Bashkëveprimtarët e mi që kishin vuajtur, që ishin torturuar, që ishin rrahur shtazarakisht!

Ishin udhëheqësit tanë që kishin mbajtur mbi supe barrën e rëndë të idealit kombëtar!

Ishin atdhetarët e patriotët që kishin dalë nga rinia e tyre drejt burgjeve, me shpresën se një ditë brezat që do të vinin pas tyre do të jetonin të lirë, kështu sikur edhe jemi tash!

Sot, dyert e atij burgu janë të hapura!

Kosova është e lirë!

Shokët tanë që mbijetuan mund të kthehen në vendin ku dikur ishin të burgosur, të ecin nëpër korridoret e tij dhe të dalin prej tij si njerëz të lirë, fitimtarë e triumfatorë!

Por vitet që ua mori burgu nuk ua kthen dot askush!

Rininë dhe vitet që e kanë kaluar në burgje e qeli nuk ua kthen askush!

Vuajtjet e përjetuara nuk mund t’ua fshijë askush nga memoria!

Ngushëllimi i vetëm për heronjtë e burgjeve dhe qelive shqiptare, është largimi Serbisë pushtuese dhe aparatit të saj policoro-ushtarak nga Kosova!

Prishtinë, 28 Tetor 2026!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një stacion treni në një zonë rurale të Hokkaidos, në…