PO, UNË JAM DRENICAK

26 maj 2026 | 17:16

Shkruan: Agron Bajraktari

Sa herë që Kosovës i dridhen themelet nga krizat politike, nga dështimet e pushteteve apo nga frika e së vërtetës, gjithmonë del në shesh i njëjti helm: sulmi ndaj Drenicës. Një propagandë e vjetër, e lodhur, por ende e mbushur me përbuzje ndaj një treve që kurrë nuk pranoi të gjunjëzohet.

Dhe sa herë dëgjoj tallje për Drenicën, për “fshatarët”, për asfaltin, për mënyrën si flasim apo si dukemi, aq më shumë më forcohet bindja se ne ende i trembim ata që jetojnë pa rrënjë e pa shtyllë kurrizore.

Prandaj po e them me zë të plotë, pa komplekse dhe pa pasur nevojë për miratim nga askush:

Po, unë jam drenicak.

Jam nga ajo tokë ku historia nuk shkruhet me fjalë, por me gjak, sakrificë dhe krenari. Jam nga Drenica, vendi ku pushka u ngrit për liri dhe ku burrat dhe gratë nuk u përkulën as para mbretërive, as para Jugosllavisë e as para Serbisë.

Jam nga Drenica e Shaban Polluzhës, që udhehoqi nje nga rezistencat me te medha kunder armikut dhe nuk e shiti kurrë kombin për pushtet. Nga Drenica e Hasan Prishtinës, që Shqipërinë dhe Kosovën i bëri ideal të jetës së tij. Nga Drenica e Azem dhe Shote Galicës, që e kthyen malësinë në simbol të rezistencës shqiptare.

Nga Drenica e Ahmet Delisë, që në betejat për mbrojtjen e trojeve shqiptare u bë simbol i trimërisë dhe i besës shqiptare, duke i treguar armikut se kjo tokë nuk nënshtrohet lehtë.

Jam nga toka e Tahir Mehës, që me një kullë dhe një zemër mali sfidoi një ushtri të tërë.

Jam nga toka e Adem dhe Hamëz Jasharit dhe e familjes legjendare që e bëri sakrificën sinonim të lirisë. Jam nga vendi i Osman Gecit, që bashkë me nipat në Prekaz u bë pjesë e qëndresës heroike shqiptare.

Nga ajo tokë ku familjet nuk u dorëzuan përballë armikut dhe ku sakrifica për liri u bë amanet brezash.

Jam nga vendi i Ilaz Kodrës, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, emra që nuk vdesin kurrë, sepse jetojnë në ndërgjegjen e këtij kombi.

Jam nga Drenica e Hashim Thaçit, që projektoi lirinë, bëri luftën, udhëhoqi negociatat në Rambuje, largoi okupatorin, shpalli Pavarësinë dhe ndërtoi shtetin e Kosovës. Nga ajo Drenicë që nuk prodhoi vetëm luftëtarë, por edhe udhëheqës që bartën mbi supe përgjegjësinë historike të shtetndërtimit.

E po, jam nga Drenica ku lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Nga ajo tokë ku djemtë u ngritën me armë në dorë, jo për lavdi personale, por që fëmijët shqiptarë të mos jetonin më nën frikë. Nga ajo tokë ku u lindën komandantë e luftëtarë që mbeten pjesë e historisë sonë: Hashim Thaçi, Sulejman Selimi, Sahit dhe Musa Jashari, Sami Lushtaku, Xhevahir Geci, Nuredin Lushtaku, Jetullah Geci, Ferat Shala, Azem Syla, Gani Koci, Bedri e Shaban Shala, Fadil Kodra, Adem e Jakup Nura, Fadil e Jahir Demaku, Ilaz Dërguti, Jakup Krasniqi, Emin Lati, Murat Kuka, Rafet dhe Besim Rama, Xhavit Ferizi, Rexhep Selimi, Sabit dhe Nuhi Geci, Abedin Rexha dhe shumë të tjerë që nuk u kursyen kur Kosova kishte nevojë për ta.

Jam nga Drenica që ka mbajtur gjithmonë besën e kurrë tradhtinë. Ajo ka mbajtur dhe mbështetur shumë komandantë e ushtarë të lirisë: Kadri Veseli, Rrahman Rama, Ramush dhe Daut Haradinaj, Zahir Pajaziti, Nait Hasani, Lahi Brahimaj, Mujë Krasniqi, Bekim Shyti dhe shumë të tjerë që emrin e Kosovës e ngritën mbi jetën e tyre.

Këta nuk janë vetëm emra për mua. Janë themelet mbi të cilat është ngritur krenaria ime si drenicak.

Unë nuk e kam parë luftën dhe proceset kombëtare nga larg. Jam rritur bashkë me to. Jam edukuar kombëtarisht nga familja ime, nga babai Hetemi dhe vëllai im i madh Zymeri, luftëtar i UÇK-së, të cilët ishin udhërrëfyes jo vetëm për mua, por për gjithë familjen tonë.

Që në rininë e hershme kam jetuar frymën e rezistencës, sakrificës dhe përkushtimit për Kosovën. Këto nuk i kam njohur vetëm përmes rrëfimeve apo ekraneve televizive, por përmes realitetit të përditshëm që përjetonte populli im dhe përmes të qenurit pjesë e proceseve kombëtare.

Kam ndier zhurmën e krismave dhe erën e zjarrit mbi tokën time. Kam parë njerëz që humbnin familjarë, shtëpi e gjithçka materiale, por kurrë dinjitetin dhe besimin në liri. Këto procese nuk kanë qenë vetëm pjesë e historisë së Kosovës, ato kanë qenë pjesë e jetës sime. Gjithmonë kam qenë aty ku vendit tim i jam dashur më së shumti.

Kam qenë i bekuar ta njoh që nga fëmijëria familjen Jashari. Me Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe Jakup Nurën jam takuar në Tiranë për rreth gjashtë muaj, nga tetori 1992 deri në mars 1993, në kohën kur bëheshin përgatitjet për luftën, bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe shumë shokë të tjerë.

Po ashtu, kam qenë i bekuar që nga viti 1992 t’i kem shokë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Prandaj, sot nuk lejoj askënd ta përbaltë Drenicën.

Sepse Drenica nuk është vetëm një rajon.

Drenica është zemra e qëndresës shqiptare.

Është vendi ku besa vlen më shumë se jeta.

Është vendi ku burrëria nuk matet me fjalë, por me vepra.

Mund të jem i shkolluar, mund të jetoj në qytet, mund të flas gjuhë të botës, por kurrë nuk do ta fsheh prejardhjen time për t’u dukur “më modern” apo “më urban”.

Sepse rrënjët e mia nuk janë turp.

Ato janë nder për mua.

Po, unë jam drenicak.

Jam krenar për odat tona, për sofrën tonë, për njerëzit tanë dhe për historinë tonë. Jam krenar që vij nga një tokë që dha gjithçka për Kosovën dhe nuk kërkoi asgjë në këmbim, përveç lirisë.

Dhe sa herë dikush mundohet ta ulë Drenicën, unë e ngre kokën edhe më lart.

Sepse, të jesh drenicak nuk është vetëm origjinë.

Është karakter.

Është besë.

Është trimëri.

Është amanet.

Dhe për mua, ky është nderi më i madh i jetës sime.

Autori është Rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aferdita Lleshaj nga Novosella e Gjakovës, shpall të pavlefshme deftesën…