Trupat gjermano-holandeze do ta marrin komandën e NATO-s në Estoni e Letoni

29 maj 2026 | 08:19

NATO-ja do ta fuqizojë mbrojtjen në krahun e vet lindor duke i ngarkuar Trupat Gjermano-Holandeze me detyrën e komandës së trupave aleate në Estoni dhe Letoni në rast të një lufte me Rusinë, thanë të enjten Gjermania dhe Holanda.

Forcat e NATO-s në tri shtetet baltike dhe në Poloninë Veriore tash për tash janë nën komandën e një selie të vetme shumëkombëshe, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Krijimi i një zone të dytë të komandës do të mund ta lejonte aleancën që të caktonte më shumë trupa për vendet e Baltikut, të cilat janë më të rrezikuarat nga një sulm i mundshëm rus.

NATO-ja ka thënë se Moska mund të organizojë një sulm të shkallës së lartë ndaj territorit të NATO-s jo më larg se në vitin 2029, nëse vazhdojnë përpjekjet e saj për armatosje. Sidoqoftë, Kremlini ka mohuar se ka plane të tilla.

Ndryshimi i njoftuar të enjten, për të cilin agjencia “Reuters” raportoi më herët këtë javë, e nënvizon rëndësinë strategjike të rajonit të Baltikut pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

“Me integrimin e Trupave Gjermano-Holandeze në planet e mbrojtjes të NATO-s, të dyja vendet do të marrin përgjegjësi të mëtejme për sigurinë e Evropës” – tha ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, duke shtuar se në këto trupa përfshihen 16 shtete.

Presioni ndaj Evropës për ta përforcuar mbrojtjen është shtuar pas kritikave nga presidenti amerikan, Donald Trump./Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot mbledhjen…