Abdixhiku për takimet me katër ambasadorë: Bashkëpunimi i ngushtë me aleatët, orientim i palëkundur politik e shtetëror
Kryetari i LDK-së dhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit, Lumir Abdixhiku, gjatë javës që po e lëmë pas ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e ambasadave të huaja të akredituara në Kosovë.
Ai ka bërë me dije përmes një postimi në “Facebook” se ditëve të fundit ka takuar në selinë qendrore të partisë, Anu Prattipatin, të ngarkuarën me punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë Olivier Guerotin, ambasadorin e Francës, Jonathan Hargreaves, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Maurizio Antoninin, ambasadorin e Italisë.
Në këto takime, ai ka thënë se është diskutuar për zhvillimet politike në vend, rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës, forcimin e partneriteteve strategjike dhe rëndësinë e stabilitetit institucional për të ardhmen e Republikës.
“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë me aleatët tanë mbetet orientim i palëkundur politik e shtetëror. Kosova ka nevojë për miqësi të forta, partneritet të qëndrueshëm dhe një zë serioz e të besueshëm në raport me botën”, ka shkruar Abdixhiku.



