Nis fushata për ribotimin luksoz përkujtimor të “Lahutës së Malcís” – janë mbledhur mbi 38 mijë dollarë
Lidhja Miqtë e At Gjergj Fishtës në Diaspor, në bashkëpunim me Provincialin Françeskan të Shkodrës dhe bashkatdhetarë nga diaspora shqiptare, ka nisur projektin për ribotimin luksoz përkujtimor të kryeveprës së At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcís”, bazuar në edicionin e vitit 1958.
Sipas organizatorëve, projekti synon të ruajë dhe promovojë një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare, e cila konsiderohet si epika kombëtare e shqiptarëve. “Lahuta e Malcís” u shkrua nga At Gjergj Fishta përgjatë më shumë se tre dekadave dhe i solli autorit nominimin për Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1937.
Organizatorët theksojnë se vepra pati një rol të rëndësishëm në forcimin e vetëdijes kombëtare shqiptare dhe, për këtë arsye, u ndalua gjatë periudhës komuniste në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi. Edicioni i vitit 1958, i botuar në Romë nga At Danjel Gjeçaj, konsiderohet një nga botimet më të rëndësishme të veprës, duke ruajtur dhe përsosur trashëgiminë letrare të Fishtës.
Ribotimi përkujtimor synon të nderojë sakrificën e popullit shqiptar për liri, si dhe kontributin e françeskanëve në ruajtjen e letërsisë, kulturës dhe historisë kombëtare ndër breza.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizatorët, projekti parashikon shtypjen e 5,000 kopjeve dhe do të realizohet nga shtëpia botuese Olymp në Prishtinë. Kostoja e përgjithshme e projektit është vlerësuar në 66,230 euro, ndërsa përfundimi i tij pritet në dhjetor të vitit 2026.
Deri më tani, përmes donacioneve të shqiptarëve nga diaspora, veçanërisht nga shtetet amerikane Michigan dhe California, janë mbledhur mbi 38 mijë dollarë. Ndër kontribuuesit më të mëdhenj figurojnë individë, familje dhe shoqata shqiptare që kanë mbështetur financiarisht realizimin e projektit.
Organizatorët kanë shprehur mirënjohje për të gjithë donatorët dhe mbështetësit e fushatës, duke premtuar transparencë të plotë për çdo shpenzim dhe kontribut deri në përfundimin e projektit.
Fushata e mbledhjes së fondeve vazhdon dhe mbështetësit mund të kontribuojnë përmes platformës GoFundMe.
Shkrimi i plotë në linkun poshtë:



