Kurti viziton fabrikën Alfapan në Klinë: Kosova ka kapacitet të konkurrojë në tregjet ndërkombëtare
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LV-së, Albin Kurti, ka vizituar fabrikën Alfapan në Klinë, ku u njoftua nga afër me proceset moderne të prodhimit të sandwich paneleve me teknologji të lartë.
Gjatë vizitës, ai pa nga afër një sistem tërësisht të automatizuar prodhimi, me kapacitet prej 5 mijë metrash katrorë për 8 orë dhe përdorimin e 12 komponentëve me shkuma poliuretani.
Kurti theksoi se paga mesatare prej mbi 1 mijë eurosh për rreth 40 punëtorët e fabrikës është dëshmi e potencialit të industrisë prodhuese në Kosovë.
Ai veçoi edhe angazhimin e katër inxhinierëve të kimisë nga vende të ndryshme të botës dy nga India, një nga Kili dhe një nga Italia, të cilët punojnë në Klinë me paga prej 4.500 euro, si tregues i profesionalizmit dhe standardeve të larta që po ndërtohen në vend.
“Makineritë italiane dhe standardet e larta të prodhimit sipas kritereve të Bashkimit Evropian, si dhe fakti që 70% e prodhimit eksportohet në tregjet e Evropës Perëndimore, tregojnë se Kosova ka kapacitet të prodhojë dhe të konkurrojë denjësisht në tregjet ndërkombëtare”, tha Kurti.
Ai shtoi se Alfapan është shembull konkret i zhvillimit që e sjell sektori privat në Kosovë, duke theksuar se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për fabrikat dhe industrinë prodhuese në vend.



