Arrestohet një person në Pejë për manipulim me prova dhe armëmbajtje pa leje
Një person është arrestuar sot në Pejë në kuadër të hetimeve për rastin e vdekjes së një punëtori në një vendpunishte në fshatin Gllaviqicë, ngjarje e ndodhur më 29 prill 2026.
Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, arrestimi është realizuar pas veprimeve intensive hetimore të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Hetimeve në Pejë.
I dyshuari po hetohet për veprat penale “Manipulimi me prova” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.
Ndërkohë, prokuroria ka bërë me dije se ndaj një familjari të të pandehurit po zhvillohen veprime hetimore për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Prokurori i shtetit ka njoftuar se brenda afateve ligjore do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.



