Taulant Balla i përgjigjet Fredi Belerit për Zvërnecin: Termi ‘Epir i Veriut’ ka vdekur

02 qershor 2026 | 14:58

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i është përgjigjur eurodeputetit grek, Fredi Beleri pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me Zvërnecin dhe atë që ai e quajti “grekët e Epirit të Veriut”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka theksuar se Zvërneci është pjesë e Shqipërisë dhe ka hedhur poshtë përdorimin e termit “Epir i Veriut”, duke e cilësuar atë si një koncept të tejkaluar.

“O zoti eurodeputet Beleri, Zvërneci është në shtetin që quhet Shqipëri. Termi Epir i Veriut ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta mbajnë gjallë. Prandaj të lutem zbato emërtesat zyrtare që të kërkon Parlamenti Evropian”, ka shkruar Balla në “Facebook”.

Ai ka theksuar gjithashtu se Shqipëria mbetet e angazhuar për respektimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e pronës dhe garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare, duke i cilësuar këto si detyrime kushtetuese, ligjore dhe evropiane.

Në reagimin e tij, Balla ka akuzuar Belerin se po bën politikë duke shtrembëruar faktet dhe historinë, ndërsa shtoi se debati për këto çështje do të vijojë në institucionet evropiane.

Deklarata e Ballës ka ardhur pasi Beleri ka thënë se kishte folur për çështjen e Zvërnecit dhe për “grekët e Epirit të Veriut”, një term që vazhdon të ngjallë debat dhe reagime në marrëdhëniet shqiptaro-greke.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dua Lipa dhe aktori Callum Turner do të martohen në…