Zelensky i kërkon Trumpit raketa “Patriot”

02 qershor 2026 | 16:53

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar presidentit amerikan, Donald Trump që t’i dërgojë Ukrainës raketa “Patriot” pas sulmit të fundit rus të hënën që ka vrarë të paktën 18 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Sipas forcave ajrore ukrainase, Rusia ka lëshuar gjatë natës 73 raketa dhe 656 dronë kundër Ukrainës, përfshirë tetë raketa hipersonike Tsirkon. Objektivat kryesore ishin Kievi, qytetet qendrore Dnipro dhe Zaporizhzhia, si dhe qytetet lindore Poltava dhe Kharkiv.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju.

Shpërthime të fuqishme kanë tronditur kryeqytetin, ndërsa banorët janë strehuar në bodrume, korridore dhe stacione metroje. Re të zeza tymi janë ngritur mbi qytet. Autoritetet kanë thënë se gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 66 të tjerë janë plagosur, mes tyre tre fëmijë.

“Një sulm në shkallë të gjerë dhe një deklaratë krejtësisht e qartë nga Rusia”, ka shkruar Zelensky në rrjetet sociale.

“Nëse Ukraina nuk mbrohet nga sulmet me raketa balistike dhe raketa të tjera, këto sulme do të vazhdojnë. Evropa ka nevojë për raketat e saj kundër raketave balistike, në mënyrë që kjo luftë të përfundojë më në fund. Dhe ne patjetër kemi nevojë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara në furnizimin me raketa si Patriotët. Ne mbështetemi te partnerët tanë dhe te reagimet efektive ndaj sulmit të sotëm”, ka shtuar Zelensky.

Presidenti ukrainas ka paralajmëruar vazhdimisht se Kievi po i shteron raketat penguese Patriot, të furnizuara nga ShBA-ja, të cilat janë i vetmi sistem i mbrojtjes ajrore që mund të ndalojë raketat balistike armike me shpejtësi të lartë.

Javën e kaluar ai kishte ndërmarrë hapin e pazakontë duke i shkruar Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit amerikan për të kërkuar ndihmë. Zelensky i ka përshkruar Patriotët si një “mjet jetik” për shpëtimin e jetëve njerëzore. Ai ka theksuar se raketat balistike janë “avantazhi i fundit i madh i Moskës në fushëbetejë”.

Megjithatë, deri tani administrata Trump ka injoruar kërkesat e Zelenskyt, pasi qindra raketa Patriot, të rralla dhe të kushtueshme, u përdorën gjatë muajit shkurt në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.

Të paktën 12 persona janë vrarë dhe 36 janë plagosur në Dnipro. Midis tyre ishte edhe një punonjës i shpëtimit, i cili ka humbur jetën gjatë goditjes së dytë të një sulmi të tipit “double tap”, kur ekipet e emergjencës kishin mbërritur në vendngjarjen e sulmit të parë. Sipas Zelenskyt, gjashtë persona rezultonin të zhdukur pasi një ndërtesë katërkatëshe u shemb mbi ta.

Në Kharkiv, të paktën 14 persona janë plagosur dhe janë dëmtuar shtëpi banimi, garazhe dhe automjete.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Juventusi është gati për një revolucion të ri në merkato.…