Italia U17 kampione e Evropës
Derisa Kombëtarja A e Italisë vazhdon të kalojë një periudhë të vështirë duke humbur për herë të tretë Kupën e Botës pas mungesës në edicionet e vitit 2018, 2022 dhe 2026, lajmet më të mira për futbollin italian po vijnë nga gjeneratat e reja. Italia U17 është shpallur kampione e Evropës pas triumfit në finalen ndaj Belgjikës, duke dëshmuar se talenti në vendin katër herë kampion bote nuk ka munguar.
Në finalen e zhvilluar në Talin të Estonisë, italianët barazuan 1-1 në çastet e fundit të takimit, pasi Belgjika kishte kaluar në epërsi në minutën e 85-të.
Kur gjithçka dukej e humbur, Marcello Fugazzola realizoi nga penalltia në kohën shtesë, duke e dërguar ndeshjen në goditjet e penalltive.
Aty Italia u tregua më e qetë dhe triumfoi 4-3, duke ngritur trofeun evropian.
Ky është titulli i dytë evropian i Italisë në epokën U17 dhe i dyti në vetëm tre vitet e fundit, pasi “Azzurrinët” kishin triumfuar edhe në vitin 2024.
UEFA e ka cilësuar suksesin e këtij viti si titullin e dytë të Italisë në këtë kategori. Triumfi i radhës është një sinjal shumë pozitiv për të ardhmen e futbollit italian.
Ndërsa ekipi i parë ka humbur shkëlqimin e dikurshëm dhe nuk ka arritur të jetë protagonist në skenën botërore, Italia vazhdon të prodhojë futbollistë cilësorë në kategoritë e reja.
Vetëm në vitet e fundit, kombëtaret e moshave kanë regjistruar rezultate të shkëlqyera në turnetë evropiane dhe botërore, duke konfirmuar se baza e talentit mbetet jashtëzakonisht e fortë.



