Totaj përgëzon LV-në për rezultatin në zgjedhje: Është koha t’i ulim tensionet elektorale
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se procesi zgjedhor i 7 qershorit tregoi edhe një herë maturinë e lartë demokratike të popullit tonë dhe aftësinë e institucioneve për të organizuar zgjedhje të lira, të qeta dhe sipas standardeve më të larta evropiane.
Ai ka përgëzuar të gjithë akterët që morën pjesë në këtë proces.
“Rezultatet preliminare flasin qartë, VV ka dalë partia e parë dhe për këtë e përgëzojmë. Megjithatë qytetarët kanë dhënë mesazhin e tyre të prerë: Kosova ka nevojë për bashkëpunim, stabilitet dhe një qeverisje efikase. Asnjë parti nuk mund të ecë përpara e vetme; prandaj, është koha që t’i ulim tensionet elektorale dhe t’i lihet vendi dialogut të përgjegjshëm politik. Pres që të gjitha partitë, e posaqërisht VV të sillet konform këtij mesazhi të marrë nga qytetarët”, ka shkruar Totaj në “Facebook”.
Ai ka thënë se si subjekte politike, e kanë detyrimin kushtetues dhe moral ndaj vendit që të shmangim çdo jostabilitet të ri të institucioneve.
“Ftoj të gjithë liderët e partive parlamentare të angazhohen menjëherë për gjetjen e një konsensusi të gjerë për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe formimin e shpejtë të një ekzekutivi stabil me mandat të plotë katërvjeçar. Kosova përballet me sfida të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike që nuk presin. Interesi i shtetit dhe i qytetarëve tanë duhet të qëndrojë mbi çdo interes të ngushtë partiak”, ka shkruar Totaj.



