Sinqeriteti përballë egocentricitetit politik
Shkruan: Arben Hoxha
Në fushatën zgjedhore që lamë pas, beteja e vërtetë politike nuk u zhvillua për programet politike dhe as rreth tyre. Beteja e vërtetë u zhvillua ndërmjet dy prirjeve karakterologjike të politikëbërjes: prirjes së egocentricitetit politik dhe prirjes së sinqeritetit politik.
Të orientuara nga prirja e parë, partitë politike si VV-ja, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, në debatet dhe tubimet zgjedhore, interesin e partisë apo edhe të liderit të tyre përpiqeshin ta paraqisnin si të njëjtë me interesin e popullit dhe të shtetit. Edhe kur provat ishin të pakundërshtueshme dhe qartazi të verifikueshme, kritikat e ndërsjella konsideroheshin si sulme armiqësore ndaj imazhit të idealizuar që ato kanë për veten dhe për liderët e tyre. Të orientuara nga prirja e egocentricitetit politik, ato përpiqeshin që çdo sukses shtetëror, para opinionit publik, ta paraqisnin si sukses ekskluziv personal të liderit partiak ose të partisë që ai përfaqëson.
E udhëhequr nga prirja e sinqeritetit politik, si tipar karakterologjik i politikëbërjes, e cila bazohet në tërësinë e përkushtimit dhe në vënien e të gjithë qenies në shërbim të së vërtetës, të drejtës dhe lirisë, PSD-ja në këtë fushatë ishte antidoti i prirjes së egocentralitetit politik. Rezultati zgjedhor prej 0,27% të votave për PSD-në nuk është tregues i humbjes së saj, por një tregues i dëmtimit të integritetit moral të elektoratit, i shkaktuar nga doktrina e egocentrizmit politik, e cila zbatimin e saj e ka gjetur në praktikën e politikëbërjes në Kosovë tash e më shumë se njëzet vjet.
Egocentriciteti politik cak të veprimit të vet negativ ka divorcin e besimit nga shpresa e qytetarit për mundësinë e ndryshimit. Ernst Bloch, në veprën e tij “Principet e shpresës”, thotë se shpresa është forca lëvizëse që e orienton njeriun drejt transformimit të botës, nga një stad më i ulët në një stad më të lartë zhvillimi. Ndërkaq, besimi është formësimi i kuptimit të mundësisë së transformimit të botës nëpër stade të ndryshme.
Egocentriciteti politik synon ndarjen e besimit nga shpresa, me qëllim që besimi pa shpresën të mbetet një dogmë për ushqimin e fanatizmit, ndërsa shpresa pa besimin të mbetet pa fuqinë e saj drejtuese. Efektet negative të kësaj ndarjeje, të shkaktuara nga egocentriciteti politik, në këto zgjedhje u manifestuan në dy forma: në njërën anë, përmes fanatizmit dogmatik partiak dhe, në anën tjetër, përmes refuzimit pasiv të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje.
Mospjesëmarrja e 63,4% të votuesve në zgjedhje është shprehje e heshtur e qëndrimit refuzues të qytetarëve ndaj zbatimit brutal, në kurriz të tyre, të prirjes së egocentricitetit politik. Shumësia e mundësive të zgjedhjes, që afirmon egocentriciteti politik në kontekstin e ndarjes së besimit nga shpresa, është në të vërtetë një bllokim i arsyes vlerësuese të qytetarëve për të zgjedhur. Shumësinë e mundësive egocerntriciteti politik e shndërron në boshllëk mundësie.
“Refuzimi pasiv” është shprehje e paqartësisë së vetëdijes të ndodhur përballë boshllëkut. Nën hegjemoninë e pushtetit të egocentricitetit politik, edhe mundësia e vërtetë, e realizueshme në mënyrë të besueshme dhe kuptimplote, perceptohet si pamundësi.
Rritja e egocentricitetit politik, si tipar karakterologjik i politikëbërjes në Kosovë, është tregues i rënies së sinqeritetit politik. Përfshirja në marrëdhënie me egocentrecitetin politik është përfshirje në marrëdhënie varësie klienteliste. Sinqeriteti politik, jo si virtyt moral, por si parim i tërësishmërisë së veprimit të qenies, i vendos njerëzit në marrëdhënie me lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Refuzimi i PSD-së nga partitë politike dhe mediet televizive për të qenë pjesë e debateve zgjedhore ishte shprehje e frikës nga krahasimi i egocentricitetit politik me sinqeritetin politik; e frikës së egocentricitetit për t’u përballur me qëllimet e ulëta morale politike që mishëron brenda vetes. Sinqeriteti politik ishte pasqyra në të cilën egocentriciteti politik do ta shihte shëmtinë e vet. Mënyra më e sigurt për mbrojtjen e egocentricitetit politik nga vetja e vet, në pamundësi për ta thyer këtë pasqyrë, ishte përveçimi i saj ose heqja e saj nga hapësira e komunikimit publik.
Më 22 mars 1998, mbi dy javë pas rënies së Jasharajve, në “zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale”, populli i Kosovës mori pjesë në votime me mbi 95%. Në atë kohë, brenda radhëve të UÇK-së ishin përfshirë, ndoshta, jo më shumë se 0,2% e popullsisë. Po të mos ishte rezultati – LIRIA – i dalë nga flijimi i Jasharajve, lufta e UÇK-së dhe intervenimi i NATO-s, ne sot do të kishim një narrativë tjetër për Adem Jasharin.
Pa rezultatin që e gëzojmë sot, Adem Jashari nuk do ta kishte epitetin “Legjendar”. Nuk është larg mendsh se, në mungesë të këtij rezultati, Adem Jasharin do ta pajisnim me ndonjë epitet pezhorativ, që semantikisht do të shprehte “marrëzinë”, pra një akt devijues dhe pengues në rrugën e çlirimit me mjete paqësore e demokratike.
Flijimi i Jasharajve na ka dëshmuar se ligji i domosdoshmërisë së të vërtetës historike nuk mund të burgoset e as të tjetërsohet nga farsat e “proceseve demokratike” zgjedhore. Jasharajt dhe lufta e UÇK-së na kanë dëshmuar se jo frika që buron nga egocentriciteti politik, por guximi i sinqeritetit, i cili e vë në veprim tërë qenien në mbrojtje të së vërtetës, të drejtës dhe lirisë, është garantues i rezultatit të vërtetë dhe i qëndrueshmërisë së tij në raport me interesin publik
dhe kombëtar.
Formimi ose mosformimi i koalicioneve ndërmjet partive politike për konstituimin e institucioneve shtetërore (Kuvendit, Qeverisë dhe Presidencës), pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, do të përcaktohet në varësi nga aftësia e prirjes së egocentricitetit politik për të zhdukur nga horizonti çdo mundësi të vendosjes së marrëdhënies së shëndosh ndërmjet besimit dhe shpresës brenda ndërgjegjes së shpirtit të popullit, si kusht themelor për rritjen e fuqisë së kontrollit politik dhe institucional.



