Kushtetuesja vendos në favor të qeverisë për tokën ku do të ndërtohet qendra sociale në Graçanicë
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastin KO84/25, të iniciuar nga Komuna e Graçanicës, duke konstatuar se Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e “Qendrës Rezidenciale të Kosovës për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuara” është në përputhje me Kushtetutën.
Gjykata e ka shpallur kërkesën e Komunës së Graçanicës të pranueshme, por me gjashtë vota për dhe një kundër ka vendosur që Vendimi [nr. 05/218], i miratuar më 28 gusht 2024, nuk cenon nenet kushtetuese që rregullojnë pushtetin lokal dhe autonominë komunale.
Po ashtu, Gjykata ka shfuqizuar masën e përkohshme të vendosur më 31 korrik 2025, si dhe vendimet për vazhdimin e saj më 21 tetor 2025 dhe 28 janar 2026.
Lënda kishte të bënte me vendimin e Qeverisë për ndërtimin e një kompleksi rezidencial social në disa parcela në Graçanicë, të cilat do të kalonin në pronësi të Republikës së Kosovës dhe do t’i jepeshin në shfrytëzim Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për një periudhë 99-vjeçare.
Komuna e Graçanicës kishte pretenduar se vendimi ishte marrë pa konsultim dhe se cenonte kompetencat komunale, si dhe pronën publike dhe interesat lokale. Po ashtu, ishte argumentuar se projekti mund të kishte ndikim në mjedis dhe se disa procese paraprake komunale nuk ishin respektuar.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ndërtimi i qendrës përbën interes publik të qartë dhe të pakontestueshëm, dhe se kompetencat e pushtetit lokal nuk janë absolute, por ushtrohen në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Sipas Gjykatës, Ligji për Pronën Publike dhe korniza kushtetuese i japin përparësi interesit publik në raste të tilla, veçanërisht kur projekti lidhet me shërbime për kategori të ndjeshme të shoqërisë.
Gjykata theksoi gjithashtu se asnjëra palë nuk e kishte kontestuar ekzistimin e interesit publik për ndërtimin e qendrës, ndërsa projektet alternative të komunës nuk ishin realizuar.
Në përfundim, Gjykata konstatoi se vendimi i Qeverisë nuk cenon autonominë lokale dhe është në përputhje me nenet kushtetuese që rregullojnë pushtetin lokal në Republikën e Kosovës.



